TIRANË- Drejtuesi i emisionit "Çim Peka Live" në SYRI TV, Çim Peka, ka publikuar disa foto, të cilat sipas tij, tregojnë një bisedë në telefonin e kreut të Grupit Parlamentar të PS-ë, Taulant Balla me një person të paidentifikuar. Në njërën prej tyre, bëhet fjalë për një bisedë, që siç duket në foton e mposhtme, fokusohet te një orë luksoze, për të cilën bashkëbiseduesi i thotë socialistit që "e meriton".
Biseda në foto:
- Taulant Balla: Po pra të papame
- Personi i panjohur: I meritonim pas asaj dite
- Taulant Balla: Dasht zoti ka edhe të tjera
- Personi i panjohur: Ashtu të lumtë... të nis diçka që më thotë kjo e imja
- Taulant Balla: Po
Fotografitë e publikuara nga gazetari kanë nxitur reagime të ndryshme. Një reagim ka ardhur edhe nga vetë socialisti, Taulant Balla. Ky i fundit, ka deklaruar për Newsbomb, se e gjitha është një lajm i rremë që nuk ka aspak lidhje me të. Madje, kreu i Grupit Parlamentar të PS, pretendon se disa nga fotot janë të manipuluara ose nxjerrë jashtë kontekstit
"Është një fake news, sepse ai nuk është telefoni im. Do e kallëzoj penalisht Qimin. Le të nxjerrë foton e plotë dhe del kush është. Si mund të nxjerrësh një ekran celulari dhe të thuash ky që shkruan është Taulant Balla", është shprehur Balla për median.






Nga ana tjetër, gazetari Çim Peka pretendon se imazhi është kapur në një moment kur Taulant Balla ka qenë i pranishëm në studion e emisionit Opinion.
ZËRI ka siguruar fragmentin e plotë të bisedës. Emisioni për të cilin Peka akuzon Ballën është i vitit 2017, ndërkohë që redaksia e ka patur të pamundur identifikimin e dërguesit apo të shkruesit, se a është Balla duke shkruar ose një tjetër person në këtë studio./ZËRI