Politikë

Mes debateve të shumta, mbyllet seanca parlamentare, javën tjetër opozita në protestë

Gjithashtu u miratuan të gjitha ligjet që ishin në rendin e ditës

I.F
Mes debateve të shumta, mbyllet seanca parlamentare, javën tjetër
Kuvendi i Shqipërisë

TIRANË- Kuvendi u mbyll sot me shumë debate mes opozitës dhe mazhorancës. Një nga temat më të diskutuara ishte dëshmia e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë. Deputetët e opozitës, Flamur Noka dhe Gazment Bardhi kërkuan reagimin e kryeparlamentares Elisa Spiropali për futjen pa leje të Ilir Beqajt në Komisionin Hetimor për koncensionet në Shëndetësi. Opozita kërkoi që Garda e Republikës të mbajë përgjegjësi për incidentin, ndërkohë që kryeparlamentarja Spiropali kërkoi që të mos përdornin fyerje ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë.

Ndërsa deputetja demokrate Ina Zhupa tregoi më shumë detaje në lidhje me atë që ndodhi në orët e para të mëngjesit me Beqajn. Nga Foltorja e Kuvendit, Zhupa tregoi se me çfarë fjalësh iu drejtua Beqaj, të cilat ajo i cilësoi si kërcënuese. Po ashtu, denoncoi edhe faktin që me ish-ministrin ishte shkelur protokolli i sigurisë, edhe pse duhej monitoruar për shkak se ndaj tij është caktuar masa e sigurisë "arrest me burg".

"Erdhi dhe na tha, mbylle gojën, qepe ti, ta tregoj unë ty, kush je ti. Hapni kamerat, e dini çfarë na tha polici i Burgjeve? Na tha 's'kam furgon këtu', nuk kam ku ta çoj. Pra gjithë protokolli i sigurisë, kishte rënë. Ne ishim në mëshirë të hajdutit dy metra. Kam telefonuar Komandantin e Gardës për të sjellë një gardist atje dhe erdhi pasi ne ishim kërcënuar,”- tha ndër të tjera Zhupa.

Po ashtu, referuar kërkesës së kryetares së Komisionit, Albana Vokshi, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla tha se Kuvendi i Shqipërisë nuk ka kompetenca për të zgjatur afatin e komisionit hetimor për koncensionet në shëndetësi. Në fjalën e tij, Balla tha se opozita i ka sabotuar vetë punimet, ndaj zgjatja e mandatit të punimeve nuk do të bëhen. Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi kërkoi edhe një herë zgjatjen e afatit për 30 ditë. Po ashtu, pati edhe një përplasje me kryetarjen e Kuvendit, Elisa Spiropalin.

Gjatë seancës ndodhi një incident në lidhje me deputetin demokrat Lefter Gështenja, i cili u nxor nga kolegët dhe Garda e Republikës prej krahësh nga Kuvend. Kjo pasi gjatë seancës Gështenja ka shfaqur probleme shëndetësore, ndaj edhe është detyruar të largohet nga salla.

Nga ana tjetër asnjë përfundim nuk ka dalë nga interpelanca e sotme mes deputetit të pavarur, Agron Shehajt dhe ministres së Shëndetësisë, Albana Koçiu për skandalin e Onkologjikut dhe medikamentet që mungojnë.

Po ashtu edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u përfshi në një debat me sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Flamur Noka. Goxhja i kujtoi këtij të fundit kohën kur ishte drejtor i Entit Kombëtar të Banesave, duke shtuar se vëllezërit dhe motra e Nokës kanë përfituar prej postit për të marrë banesa në Sarandë dhe Tiranë. Nga ana e tij, deputeti Noka u përgjigj ministrit duke u shprehur se motra e tij ka banesë në Sarandë, por e ka blerë vetë dhe nuk e ka përfituar nga shteti. Ndër të tjera i premtoi se në seancën e radhës plenare do të listonte bizneset që ministri kishte në emër të tij.

Gjithashtu u miratuan të gjitha ligjet që ishin në rendin e ditës:

Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin Opsional të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, bërë në Nju Jork, në datën 10.12.2008” është miratuar më 73 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenime.

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, që vepron përmes Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, për projektin “Bashki të forta (BTF), faza 2”, është miratuar me 72 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenime.

Projektvendim “Për disa ndryshime të vendimit nr. 69/2021 “Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar. Andrea Mano, nënkomisoni i medias, është miratuar me 71  vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenime.

Ashtu si çdo seancë tjetër dhe kjo e sotmja u mbyll me tensione dhe debate mes opozitës dhe maxhorancës. Ndërsa javën tjetër, pritet që të ketë protestë nga opozita në Kuvend, pasi do të kalojë buxheti për miratim. Kreu i PD-së ka lajmëruar se kjo do të jetë një nga protestat më të fuqishme të PD-së. /ZËRI

Poll

MOS HUMB