
TIRANË- Partia e Lirisë ka nisur protestën para dyerve të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, një lëvizje e paralajmëruar nga Ilir Meta që ndodhet në qeli. Para SPAK janë grumbulluar dhjetëra persona, kryesisht anëtarë të Partisë së Lirisë dhe mbështetës të Ilir Metës. Në krye të tyre qëndron Tedi Blushi, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë dhe Erisa Xhixho.
“Me ty, me ty, Ilir Meta,”- dëgjohen mbështetësit të brohorasin.
Mes protestuesve nuk shihet asnjë mbështetës apo deputet i Partisë Demokratike. Më herët, në konferencë me gazetarët, kryedemokrati Sali Berisha u pyet nëse do t’i bashkohej protestës së Metës dhe tha se lufta e Opozitës nuk duhet të jetë kundër SPAK, por kundër kryeministrit Edi Rama.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është vënë në pranga dhe është lënë në masën e sigurisë “arrest me burg”. Të dy, kanë të njëjtat akuza: pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA, por edhe shpenzime për blerje banesash dhe jo vetëm. Për Kryemadhin, SPAK ka zgjedhur masë më të butë sigurie, duke argumentuar gjendjen e saj shëndetësore. Meta, prej thuajse një muaji qëndron në ambientet e paraburgimit të burgut "313" në Tiranë. /ZËRI