Politikë

“Me lekët tonë po i bëni…”/ Programi ‘Dyfisho sipërmarrjen tënde’, Rama-komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira

Ai u shpreh se çdo qeveri menaxhon paratë e qytetarëve, por ndryshimi qëndron te mënyra se si ato përdoren

F.I
“Me lekët tonë po i bëni…”/ Programi
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Ekonomisë Delina Ibrahmaj ka marrë pjesë në eventin “Dyfisho sipërmarrjen tënde”. Programi parashikon një fond prej 250 milionë eurosh, me qëllim rritjen e aksesit në financim dhe forcimin e sipërmarrjes. Gjithashtu, skema përfshin një garanci sovrane në vlerën e 30 milionë euro, e cila synon të ulë riskun dhe të mundësojë kredi me norma interesi të favorshme nga 2 deri 3%.

Rama deklaroi se objektivi është që bizneset e vogla të rriten në të mesme, ndërsa ato të mesmet të kalojnë në nivelin e sipërmarrjeve të mëdha.

Edi Rama: Ne duam t’ju japim krahë ndërmarrjeve të vogla e të mesme që të dyfishohen. Guvernatori ka qenë një persn kyç në këtë projekt. Bankat janë në një zonë konforti aktualisht dhe mund të japin para, teksa fitojnë vetëm pak. Jemi gati që të asistojmë bizneset, që kanë një plan të besueshëm, por nuk kanë kapacitetin financiar të duhur.

Në proces sipas kreut të qeverisë do të angazhohen ekspertë ndërkombëtarë, si dhe do të ketë një cikël takimesh për të nxitur bizneset që të përfshihen në këtë program. Rama i është përgjigjur kritikave të qytetarëve për përdorimin e fondeve publike, gjatë prezantimit të programit për mbështetjen dhe zgjerimin e bizneseve të vogla e të mesme. Ai u shpreh se çdo qeveri menaxhon paratë e qytetarëve, por ndryshimi qëndron te mënyra se si ato përdoren

Edi Rama: Suksesi i këtij projekti varet edhe nga presingu i guvernatorit që do t’u bëjë bankave të nivelit të dytë. Duke qenë se bankat kanë një manual të tërë justifikimesh që i përdorin me efikasitet të lartë dhe një nga këto është se planet e bizneseve të vogla dhe të mesme nuk janë mjaftueshmërisht të arritura, ne kemi angazhuar një forcë tjetër në këtë proces, që është UNDP, Zyra e Kombeve të Bashkuara këtu në Tiranë, ku do të angazhojmë ekspertë ndërkombëtarë. Do të jemi një grup i gatshëm për të asistuar bizneset që kanë ide interesante dhe një plan të besueshëm, por nuk kanë kapacitetin për ta përkthyer në një projekt bindës.

Ky grup do të jetë në dispozicion të bizneseve dhe Ministria e Ekonomisë do të luajë rolin e vet për koordinimin mes subjekteve. Po ashtu, ne kemi vënë në dispozicion një ëebsite online, në të cilin ka edhe një mundësi për t’u drejtuar drejtpërdrejt ministrisë nga biznesi dhe ka edhe një chatbox për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi programin. Një tjetër element është se është planifikuar edhe një cikël takimesh në territor për të nxitur bizneset që të përfshihen në këtë program. Ministria e Financave ka qenë kyçe. Të gjithë bëjnë detyrën, por problemi është kush e bën më mirë dhe kush më keq.

Na thonë: “Pse po bëni sikur çfarë po bëni, se me lekët tona po i bëni?” Po ka qeveri që me lekët tona bëjnë punë të mira, ka qeveri që nuk bëjnë asnjë punë, ose bëjnë punë të këqija. Dua t’i falënderoj edhe ministrat, edhe guvernatorin për këtë projekt.

Poll

MOS HUMB