Politikë

Ligji i ri! Banka e Shqipërisë: Guvernatori të ketë imunitet nga arrestimi dhe kontrollet

Në draf thuhet se për të ekzekutuar arrestimin apo kontrollin e banesës së Guvernatorit apo zv.guvernatorëve, prokurori i çështjes duhet të kërkojë menjëherë autorizimin e Gjykatës Kushtetuese.

F.I
Ligji i ri! Banka e Shqipërisë: Guvernatori të ketë imunitet
neni

TIRANË-Projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë parashikon mbrojtje të veçantë ligjore për Guvernatorin dhe zëvendësguvernatorët.

Sipas nenit 72 të projektligjit të hartuar nga Banka e Shqipërisë dhe të hedhur zyrtarisht për konsultim nga Ministria e Financave, Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët nuk mund të arrestohen ose të privohen nga liria në ndonjë formë, as t’i nënshtrohen kontrollit personal apo të banesës, pa autorizimin e Gjykatës Kushtetuese. Përjashtim bëjnë vetëm rastet kur ata kapen në flagrancë ose ndërsa janë në ndjekje menjëherë pas kryerjes së një krimi.

Në draf thuhet se për të ekzekutuar arrestimin apo kontrollin e banesës së Guvernatorit apo zv.guvernatorëve, prokurori i çështjes duhet të kërkojë menjëherë autorizimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit duhet të marrë vendim për autorizimin brenda dy javëve nga data kur i paraqitet çështja. Në rast se Gjykata Kushtetuese nuk vendos brenda këtij afati kohor, kërkesa për autorizim do të konsiderohet e refuzuar.

“Neni  72

Dispozita të veçanta për administratorët

 1. Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët nuk mund të arrestohen ose të privohen nga liria në ndonjë formë, as t'i nënshtrohen kontrollit personal apo të banesës, pa autorizimin e Gjykatës Kushtetuese, përveç rasteve kur kapen në flagrancë ose ndërsa janë në ndjekje menjëherë pas kryerjes së një krimi.

2. Me përjashtim të rastit të specifikuar në pikën 1 të këtij neni, prokurori i çështjes duhet të kërkojë menjëherë autorizimin e Gjykatës Kushtetuese përpara se të kryejë arrestimin, kontrollin personal ose të banesës së Guvernatorit dhe Zëvendësguvernatorëve.  Gjykata Kushtetuese merr vendim për autorizimin brenda dy javëve nga data kur i paraqitet çështja. Në rast se Gjykata Kushtetuese nuk vendos brenda këtij afati kohor, kërkesa për autorizim konsiderohet e refuzuar”, thuhet në nenin 72 të projektligjit për Bankën e Shqipërisë.

Ligji i ri! Banka e Shqipërisë: Guvernatori të ketë imunitet
DOKUMENTI

Aktualisht Guvernatori i Bankës së Shqipërisë është Gent Sejko. Ai është emëruar në këtë detyrë në shkurt të vitit 2015 dhe ka nisur mandatin e tij të dytë 7-vjeçar në shkurt të vitit 2022. Ky propozim është pjesë e projektligjit të ri për Bankën e Shqipërisë./ZËRI

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB