Bordi i Paqes do të mbahet më 30 qershor në Qipro, ku do të mblidhen përfaqësuesit e vendeve anëtare për të diskutuar mbi ecurinë e planit ndërkombëtar për paqen dhe stabilitetin në Gaza.
Në këtë takim do të marrë pjesë edhe Shqipëria, e përfaqësuar nga kryeministri Edi Rama. Burime pranë organizatorëve bëjnë me dije se në fokus të diskutimeve do të jenë masat për forcimin e sigurisë, procesi i rindërtimit dhe koordinimi mes vendeve anëtare për fazat e ardhshme të misionit.
Shqipëria, si një nga vendet anëtare të Bordit të Paqes, pritet të riafirmojë angazhimin e saj në mbështetje të nismave që synojnë stabilitetin dhe paqen afatgjatë në rajon.
Shtëpia e Bardhë ftoi zyrtarisht rreth 60 vende për t’iu bashkuar Bordit të Paqes, ndërsa 35 liderë kanë shprehur interes deri tani. Aktualisht, 26 vende janë bërë pjesë dhe janë caktuar si anëtare themeluese, ndërsa të tjerë do të jenë në rolin vëzhgues. Europa është distancuar nga Bordi i Paqes i Trump.
Fuqitë kryesore evropiane, përfshirë Francën, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjën, kanë refuzuar ftesat për t’u bërë anëtare. Pavarësisht shqetësimeve, BE-ja do të dërgojë komisioneren për Mesdheun, Dubravka Suica, si vëzhguese në takim./ZËRI