TIRANË- Mbledhja e Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale është shoqëruar me debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës.
Diskutimet janë përqëndruar kryesisht te afatet, ecuria e punës dhe rezultatet e deritanishme të komisionit. Lidhur me këtë, bashkëkryetari socialist Mazniku, është shprehur se qeveria ka vijuar me projekte konkrete në terren, ndërsa ka kritikuar opozitën për mungesë veprimesh.
“Ju vetëm keni folur, ne kemi bërë punën”, është shprehur Mazniku gjatë mbledhjes, duke iu përgjigjur akuzave të ngritura nga deputetët e opozitës.
“Mungesa e rezultateve dhe koha e humbur kanë ardhur si pasojë e bllokimit sistematik nga opozita. Çdo produkt që është propozuar nga ana teknike, është propozuar nga mazhoranca në komision. Përgjegjësitë për agjendën, ecurinë e punës, produktet, tipologjinë dhe numrin e tyre në një komision me bashkëkryesi dhe përbërje 8 me 8 janë të përbashkëta. Nuk e kuptoj kujt po i kërkohet llogari vetëm nga njëra palë. Keni kërkuar paritet dhe pariteti sjell edhe përgjegjësi, jo vetëm fjalë. Ju keni ardhur, keni folur, keni ikur. Ne kemi ardhur dhe kemi bërë edhe disa punë”, u shpreh Mazniku.
Ai shtoi se në një komision me përfaqësim të barabartë mes palëve, llogaria për rezultatet duhet të kërkohet nga të gjithë aktorët e përfshirë në proces dhe jo vetëm nga njëra anë.
Megjithatë, mbetja mbrapa me kohën shkaktoi debate mes palëve. Bashkëkryetari demokrat Luçiano Boçi u shpreh se nuk mjaftojnë 20 ditë që kanë mbetur në dispozicion.
“Nuk kemi kohe qe për 20 dite te zbatojmë ato qe kemi miratuar vete me herët”, tha Luçiano Boçi.
Nga ana tjetër, Mazniku la të hapur edhe mundësinë që Kuvendi të ndërhyjë në afatet e komisionit.
“Deri me datën 15 ne duhet ti dorëzojmë Kuvendit nje raport, kuvendi mund te na shtyje afatin”, tha Mazniku.
Reforma territoriale mbetet një çështje kyçe për organizimin administrativ të vendit dhe për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Kompromiset mes partive në tavolinë, do të vendosin formën përfundimtare të ndarjes së bashkive./ZËRI