Politikë

Mbi 277 mln lekë dëm financiar! GJKKO shtyn vendimin për kryebashkiakun e Tropojës, Rexhë Byberi

Byberi i cili ndodhet në masën e arrestit në shtëpi, së bashku me zëvendësin e tij, Abedin Kërrnaja, akuzohen për shpërdorim detyre

F.I
Mbi 277 mln lekë dëm financiar! GJKKO shtyn vendimin për
Rexhë Byberi

TIRANË- Gjykata e Posaçme ka shtyrë vendimin për kryebashkiakun e Tropojës, Rexhë Byberi për kalimin ose jo në gjykim. Avokati i tij ka argumentuar se hetimet janë të paplota dhe ka kërkuar që dosja të kthehet për hetime shtesë, duke theksuar se, sipas materialeve të dorëzuara në gjykatë, nuk ka prova për një vepër penale. Në seancën e ardhshme, Gjykata do të vendosë nëse do të kalojë dosjen për gjykim, do ta pushojë atë, apo do ta kthejë për plotësim aktesh. 

Byberi i cili ndodhet në masën e arrestit në shtëpi, së bashku me zëvendësin e tij, Abedin Kërrnaja, akuzohen për shpërdorim detyre, me dëm financiar që kalon 277 milionë lekë. Sipas SPAK, ata janë përgjegjës për dëmtimin e sipërfaqeve pyjore gjatë ndërtimit të dy rrugëve, duke mos u konsultuar me institucionet përkatëse.

Konkretisht, janë evidentuar punime në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore për rrugët “Stacioni i Anijes Palç- Guri i Lules” dhe “Qafë Murrizi –Qafë Agri”. Një njoftimin e Prokurorisë së Posaçme thuhej se për nisjen dhe kryerjen e punimeve, në këto dy akse rrugore, duhej të aplikohej në sistemin elektronik ‘e-leje’, pranë Bashkisë Tropojë, si institucion vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës, pasi të ketë verifikuar plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm tekniko-ligjor nga aplikuesi, për këto lloj punimesh.

Po ashtu, sipas SPAK, Bashkia Tropojë duhej të bashkëvepronte me institucionet e tjera kompetente për ndërtimin e rrugës, konkretisht me Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, për nevojën e hartimit të Raportit të Vlerësimit të ndikimit në mjedis, të bashkëvepronte me ministrinë e linjës për impaktin e ndërtimit të rrugës së re dhe pasojat e këtyre punimeve të ndërtimit./ZËRI

Poll

MOS HUMB