
TIRANË-Sot 16 vite më parë Shqipëria u antarësua në NATO. Anëtarësimi në NATO shënoi një kthesë të rëndësishme për sigurinë e vendit, duke e renditur atë në krah 32 vendeve të tjera.
Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO filloi në vitin 1992, me pranimin e vendit zyrtarisht në Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut (NACC), që ishte organizmi i parë që krijoi Aleanca për të ndërtuar marrëdhëniet me shtetet që dolën nga regjimet komuniste në Evropë.
Një nga zhvillimet e rëndësishme në këtë proces është ai i vitit 2003, kur Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia (sot Maqedonia e Veriut) së bashku me SHBA-në nënshkruan "Kartën Adriatik 3 - SHBA", që u konsiderua si një nismë që do të përgatiste anëtarësimin e këtyre vendeve në NATO.
Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në NATO në samitin e Bukureshtit më 2 prill të vitit 2008, ndërkohë më 25 prill të të njëjtit vit Shqipëria filloi zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin në Aleancë.
Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në NATO më 1 prill të vitit 2009, ndërkohë mori pjesë për herë të parë si anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në samitin që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill të vitit 2009.
Për shqiptarët, pas 5 dekadash diktaturë, ky akt ishte arritja më madhore në fushën politike dhe atë të sigurisë kombëtare pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Aktualisht, ushtarakët shqiptarë janë pjesë e mijëra trupave të vendeve të NATO-s, të cilët shërbejnë në operacionet dhe misionet e Aleancës në vendet baltike, Poloni, Rumani, Bullgari dhe në Kosovë. Së fundmi një bazë ajrore e NATO-s u hap në Shqipëri në fillim të muajit mars 2024.
Në Shqipëri aktualisht nuk aplikohet shërbimi i detyrueshëm ushtarak, por ka një forcë ushtarake me personel profesionist që përzgjidhet sipas kritereve të caktuara. Pjesë e këtij transformimi është dhe përfshirja e femrave në ushtri, ku aktualisht përbëjnë mbi 20 për qind të personelit, ushtarake dhe civile, ku në vitet fundit janë përfshirë edhe në nivele drejtuese.
Në vitet e fundit Shqipëria i ka kushtuar vëmendje edhe rritjes së buxhetit për mbrojtjen. Autoritetet shqiptare kanë deklaruar se viti 2025 parashikohet të jetë viti i dytë ku plotësohet angazhimi ndaj NATO-s për të arritur një buxhet mbi vlerën 2 për qind në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB)./ZËRI