
TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i ka kërkuar kryetares së Kuvendit Elisa Spiropalit të zbatojë opinionin e Komisionit të Venecias për mandatin e Olta Xhaçkës. Në letrën e dërguar Kuvendit, Bardhi shkruan se Opinioni këshillimor i Komisionit të Venecias arrin në konkluzionin që Kuvendi të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si element bazë i shtetit të së drejtës.
Më tej, Bardhi thekson se sipas opinionit të Komisionit të Venecias Kuvendi nuk po detyrohet që të votojë në një mënyrë të caktuar, por po përmbush vetëm përgjegjësinë e tij për të respektuar Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Ju po sajoni/deformoni qëndrime që nuk gjejnë asnjë mbështetje, në asnjë fjali dhe në asnjë paragraf të Opinionit të Komisionit të Venecias. Ju po bëni interpretimin sipas asaj që ju do të dëshironit të shprehej Komisioni i Venecias dhe jo sipas asaj që është shprehur qartësisht Komisioni i Venecias. Ju nuk po i përmbaheni zotimit tuaj publik që do të vepronit sipas Opinionit të Komisionit të Venecias dhe do ta zbatonit atë. Ju po tregoni se investuat kot Komisionin e Venecias dhe nuk po e respektoni autoritetin e tij. Ju po jepni shembullin e paprecedent në një vend demokratik, që nëse nuk pëlqehen vendimet e gjykatave atëherë ato mund të mos zbatohen. Çdo sjellje e kundërt me këtë përbën minim të demokracisë dhe shtetit të së drejtës,” – thuhet në shkresën e kreut të grupit demokrat.
Më 13 shtator, me 65 vota abstenim, 25 pro dhe 9 kundër, Kuvendi i Shqipërisë vendosi që të mos e dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dosjen për shqyrtimin e mandatit të ish-ministres Xhaçka. Votat kundër nga PS u dhanë nga Bullari, Çela, Çyrbja, Gjiknuri, Sterkaj dhe Çuçi, ndërsa vetë Xhaçka nuk ishte fare në sallë në momentin e votimit. Vendimi u mor pas kalimit në votim në seancë plenare të dy raporteve, një nga opozita dhe tjetri nga mazhoranca.
Kjo ishte hera e tretë në dy vite që mandati i Xhaçkës kalon në Kuvend. Mocioni ndaj ish-ministres u ndërmor nga opozita në qershor 2022 pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall investitor strategjik dhe iu dha me vendim qeverie e drejta e përdorimit të brigjeve të detit para hotelit. Edhe pse prona në fjalë është tashmë subjekt i Prokurorisë së Posaçme, kjo nuk i bën socialistët që ta lënë në dorë të drejtësisë mandatin e Xhaçkës.
Çështja e mandatit të Xhaçkës ka krijuar një precedent në marrëdhëniet mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese, duke shmangur praktikën e mëparshme parlamentare, kur Kuvendi ka vendosur që të dërgojë për interpretim në gjykatë mandatet e deputetëve në rastet kur ndaj tyre ka pasur akuza apo indicie se kanë shkelur nenin 70 të Kushtetutës, që i ndalon ata të përfitojnë nga të mirat publike. Ishte Gjykata Kushtetuese që doli në përfundimin se mandati i Olta Xhaçkës duhet të shqyrtohet pa vonesa dhe se deputetët janë të detyruar të votojnë e ta dërgojnë atë sa më shpejtë. Në daljet publike, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ia bëri të qartë Kuvendit se nuk mund kurrsesi të vërë në diskutim fuqinë detyruese të vendimeve të saj. /ZËRI