
TIRANË- Kryeministri Edi Rama prezantoi sot platformën online "Transparent Albania". "Transparent Albania" synon të krijojë një nivel të ri të transparencës dhe llogaridhënies, duke e afruar Shqipërinë me standardet europiane dhe duke përmirësuar marrëdhënien e shtetit me publikun.
Në prenzantimin e bërë, kreu i qeverisë tha se kjo platformë pritet që të lehtësojë aksesin në informacion të qytetarit ndaj transparencës buxhetore për institucionet e shtetit. Sipas tij, kjo faqe do të jetë një "urë lidhëse" midis qytetarëve dhe qeverisë, pasi do të mund që të ndjekin hap pas hapi të ndjekin në mënyrë transparente shpenzimet dhe aktivitetet e administratës.
"Nuk bëhet fjalë për një faqe të re apo më shumë në internet për informimi publik. Por për një instrument të ri. Platformë të re, urë të re lidhëse. Mes qeverisë dhe qytetarëve, për të garantuar një shpejtësi shumë më të madhe dhe një gjerësi shumë më të madhe në marrëdhënien e qytetarit me informacionin nga aktiviteti i përditshëm i qeverisë. Është një e cila pa diskutim shkon në përputhje me ambicien tonë për ta bërë Shqipërinë një vend të denjë europian në aspektin e standardeve të një shteti europian të së drejtës. Mundësi e re për të krijuar një bazë shumë më të gjerë informacion në kohë reale edhe për të gjithë punonjësit e informacionit, për të gjitha mediat. Besoj është një platformë që ka edhe një vlerë të veçantë në kohën ku jetojmë, ku fluksi i pavërtetave gjysëm vërtetave, dezinformimit dhe shpejtësia e shpërndarjes së informacioni të paverifikuar vetëm rriten. Është një fenomen global nga i cili ne nuk bëjmë asnjë dallim. Një platformë që do u mundësojë të gjithëve të ndjekin në kohë reale shpenzimet e qeverisë shqiptare,"-tha Rama.
Më tej, Rama shtoi se platforma krijon një bazë të gjerë të dhënash për gazetarët dhe publikun, duke reduktuar keqinformimin dhe dezinformimin. Ndaj edhe institucionet, sipas Ramës, do të monitorojnë më mirë detyrimet e tyre dhe do të ndihen më të përgjegjshme për përmbushjen e tyre./ZËRI