
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, edhe në konferencën e sotme për media, ka vijuar me denoncimet sa i përket fushatës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Në fjalën e tij Berisha ka publikuar mesazhet e një punonjëseje të administratës në Bashkinë e Fierit, e cila pretendon se po i bëhet presion për votën. Në mesazhet që ka nxjerrë kryedemokrati, ajo është e shqetësuar për mundësinë e largimit nga puna për shkak të mungesës së informacionit mbi të afërmit që jetojnë jashtë shtetit për t’u përfshirë në procesin e votimit.
"Unë këtu dua të lexoj vetëm një mesazh që dëshmon fytyrën kriminale të hajdutit Subash të Fierit. -Jam e mërzitur dhe e lodhur, thotë punonjësja. -Pse, çfarë ke? -Do më heqin nga puna. -Pse? -Ngaqë nuk gjej të afër që jetojnë jashtë shtetit për votimet. -Për gjëra koti që iu tek kryetarit të bashkisë Fier. -Mjerë ju çfarë u ka gjetur. Hidheni në gjyq? -E fiton ai gjyqin se e njeh ligjin. -Po të hoqën për këto motive, fiton ti, jo ai. Janë mësuar këta që njerëzit që nuk i duan, i heqin nga puna. Pra, arrin gjer në shkallë cinizmi i narkoshtetit sa që të heq nga puna nëse nuk ke në rrethin tënd familjarë që të japin emrat e tyre,"-denoncon Berisha.

Megjithatë nuk ka zbuluar asnjë detaj tjetër lidhur me personin që ka çuar këto mesazhe, e po ashtu nuk ka lënë që të kuptohet se rastin do ta denoncojë pranë organeve ligjzbatuese./ZËRI