
TIRANË-Kreu i PD-së, Sali Berisha tha se zgjedhjet e ardhshme janë më emergjentët, ndërsa theksoi se më 11 maj do të futen si koalicion. I pyetur në 'Opinion' se më kë parti do të krijojë koalicion, Sali Berisha u përgjigj: “Cilido që vendos të luftojë kundër Edi Ramës…”, duke mos përjashtuar asnjë.
“Ne do ndërtojmë koalicion me të gjitha ato forca politike që besojnë dhe mendojnë se Edi Rama përbën të keqen më të madhe në shumë aspekte për Shqipërinë dhe shqiptarët, që besojnë se largimi i 40 % i shqiptarëve vetëm në Shengen përbën një genocid të vërtetë ndaj popullit shqiptar sepse është e kalkuluar”-u shpreh Berisha.
Me deklaratën e tij, përpos Partisë së Lirisë, Berisha la të hapur mundësinë për koalicion edhe me figura si Agron Shehaj, Adriatik Lapaj apo Endri Shabani. Për Sali Berishën, kriteri themelor është rrëzimi i qeverisë aktuale.
Për votën e diasporës, Sali Berisha tha: “Ne do bëjmë gjithçka që të bëhet. Nëse nuk bëhet fajin e ka Edi Rama. Pikë”.
Zgjedhjet parlamentare të ardhshme, do të zhvillohen më 11 maj 2025. Data e zgjedhjeve u dekretua nga presidenti Bajram Begaj më (5 dhjetor 2024)./ZËRI