Politikë

Kuvendi 10 interpelanca në rend dite, Berisha-demokratëve: Nëse Rama nuk vjen, mos pranoni delegime

Berisha është shprehur nga një konferencë për shtyp se nuk do të pranojnë më interpelanca të deleguara dhe do të insistojnë që Rama të shkojë në seancë.

F.I
Kuvendi 10 interpelanca në rend dite, Berisha-demokratëve: Nëse
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Nesër Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare në orën 10:00. Në seancë janë kërkuar 10 interpelanca, ku në drejtim të kryeministrit Edi Rama janë kërkuar 2, një nga Partia Demokratike dhe tjetra nga deputetët e Partisë Mundësia, Agron Shehaj dhe Erald Kapri.

PD kërkon nga Rama një përgjigje mbi situatën demografike të Shqipërisë sipas të dhënave që disponon qeveria, duke ngritur shqetësimin e emigrimit të shqiptarëve. Por kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është shprehur nga një konferencë për shtyp se nuk do të pranojnë më interpelanca të deleguara dhe do të insistojnë që Rama të shkojë në seancë.

Sali Berisha: Në qoftë se neni 80 i Kushtetutës përcakton se kryeministri dhe ministrat janë të detyruar të paraqiten në interpelancë kur kërkohet nga deputetët, asnjë deputet nuk do të pranojë delegimin e interpelancës nga kryeministri. Kushtetuta nuk e njeh një gjë të tillë. Nuk vjen, ne marrim vendimet tona. Ne nuk pranojmë delegimin që nuk e njeh Kushtetuta të detyrimit të tij për t’u paraqitur. Se nuk paraqitet dot ai, e kuptoni apo jo.

Ndërkohë interpelanca janë kërkuar nga opozita me ministren e Shëndetësisë, Evis Sala, nga deputetët Sajmir Korreshi, Erisa Xhixho dhe Erald Kapri.

Me ministrin e Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçin, ka kërkuar 2 interpelanca socialisti Erion Braçe. Një interpelancë për për cilësinë e materialeve të ndërtimit, posaçërisht për fasada dhe instalime të brendshme në godina banimi, dhe një interpelancë tjetër për statusin aktual të projektit "Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe" financuar përmes marrëveshjes së huasë me Agjencinë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), të nënshkruar në vitin 2008.

Një interpelancë është kërkuar nga ligjvënësit Erald Kapri dhe Agron Shehaj me ministrin e Bujqësisë Andis Salla. Me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaron, përballje kërkon deputetja Ina Zhupa.

Ndërsa me ministrin e Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, interpelanca kërkohet nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, për emigracionin ilegal dhe trafikut të qenieve njerëzore gjatë dy viteve të fundit në vend, dhe masat konkrete të marra për forcimin e kufijve tokësorë dhe detarë. Po ashtu në rend dite është edhe votimi për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë./ZËRI

Poll

MOS HUMB