Aktualitet

Kushtetuesja pranon pjesërisht kërkesën e Berishës, masa 'detyrim paraqitje' shqyrtohet në Gjykatën e Lartë

Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtetuese thekson se kjo masë kufizon lirinë e lëvizjes e garantuar nga neni 38 i Kushtetutës.

M.K.

 

Kushtetuesja pranon pjesërisht kërkesën e Berishës, masa
sali berisha

TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht ankimin e kryedemokratit Sali Berisha duke shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Lartë për masën e sigurisë 'detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore'. Çështja do të shqyrtohet sërish nga Gjykata e Lartë e cila duhet të marrë në konsideratë vërejtjet e Kushtetueses.

Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtetuese thekson se kjo masë kufizon lirinë e lëvizjes e garantuar nga neni 38 i Kushtetutës. Sipas gjykatës, Gjykata e Lartë nuk ka dhënë një përgjigje të mjaftueshme për pretendimet që lidhen me domosdoshmërinë dhe përshtatshmërinë e masës së sigurisë.

Me shumicë votash, Kushtetuesja vendosi shfuqizimin e vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të datës 22 prill 2025 si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim. Vendimi parashikon gjithashtu që shpenzimet e përfaqësimit të Berishës në vlerën 60 mijë lekë t’i ngarkohen Ministrisë së Financave.

Megjithatë, vendimi i Kushtetueses nuk e heq automatikisht masën e sigurisë ndaj kreut të PD-së. Ajo mbetet në fuqi deri në një vendimmarrje të re, ndërsa Gjykata e Lartë duhet të rishqyrtojë çështjen në përputhje me vërejtjet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese.

NJOFTIM I PLOTË:

Gjykata Kushtetuese shqyrtoi ankimin e z. Sali Berisha, me objekt shfuqizimin e vendimit nr. 1 (87-2025-1), datë 03.01.2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe vendimit nr. 00-2025-658, datë 22.04.2025, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën.

Në përfundim, Gjykata, me shumicë votash, vendosi:

1. ⁠Pranimin pjesërisht të kërkesës.

2. Shfuqizimin e vendimit nr. 00-2025-658, datë 22.04.2025, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshëm me Kushtetutën.

3. Dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë.

4. Shpenzimet e përfaqësimit për kërkuesin, në vlerën 60.000 lekë, i ngarkohen Ministrisë së Financave.

Kushtetuesja pranon pjesërisht kërkesën e Berishës, masa

Sali Berisha, kreu i Partisë Demokratike u vendos në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit të vitit 2023 dhe qëndroi në arrest shtëpie për 331 ditë, lidhur me çështjen "Partizani". GJKKO hoqi masën e sigurisë ndaj Sali Berishës, duke e lënë atë të lirë. Berisha duhet të paraqitet në SPAK dy herë në muaj.

Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë, pasi SPAK pretendon se gjatë periudhës kur ishte kryeministër, ai favorizoi dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin në përfitimin e pronës, duke i hapur rrugë përfitimeve të parregullta në vlerë prej 5.4 milionë eurosh nga një biznes ndërtimi. Përveç Berishës dhe Malltezit, të pandehur në këtë dosje janë edhe ortaku i Malltezit, Xhimi Begeja, biznesmeni Fatmir Bektashi dhe financierja Andia Pustina./ZËRI

Poll

MOS HUMB