Politikë

'Ksamili dhe Dhërmiu në duart e injorantëve, do i kalojnë shtetit'! Rama: Çmime marramendëse, s'ka më muzikë në beach bar

Rama u shpreh se do të ndalohet muzika në lokalet “beach bar”.

F.I
'Ksamili dhe Dhërmiu në duart e injorantëve, do i
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama është shprehur me kritika ndaj plazheve në eventin ‘Shqipëria Turistike 2030’. Rama ka premtuar masa konkrete për t’i rikthyer plazhet publikut dhe për të shmangur abuzimin me çmimet dhe hapësirat publike. Rama njoftoi se shumë shpejt qeveria do ketë gati planin për bregdetin dhe se Ksamili e Dhërmiu do jenë nën kontrollin e bashkive.

Kreu i qeverisë deklaroi se rritja në numër e turistëve nuk është më prioriteti, por rritja e cilësisë dhe rritja e vizitorëve që konsumojnë më shumë në Shqipëri. Rama theksoi se Ksamilit i është bërë padrejtësi nga abuzimi i privatëve, të cilët e kanë trajtuar si tokë për t’u pushtuar dhe më pas si mjet për të shfrytëzuar turistët në mënyrë të turpshme. Ndërkohë sa i përket, Dhërmiut, Rama u shpreh se do të ndalohet muzika në orët e vona në lokalet “beach bar”, të cilat sipas tij, janë kthyer në shqetësim për pushuesit në zonat bregdetare.

Edi Rama: Po e nis me plazhet e dhunuara. Kjo është fjala e duhur për pazhin e Ksamilit, po marr atë se është një ndër plazhet më të bukur të botës dhe nuk mund të jetë më pre e injorantëve që e shikojnë si një tokë për tu pushtuar dhe pastaj për tu sjellë më turistët e vizitorët si të ishin skllevër që mund të hanë edhe shkopin e çadrës në kokë, apo për të vënë çmime për të qëndruar në një dendësi të paimagjinueshme në plazhe, që janë çmime që vetëm lëndojnë imazhin e turistëve shqiptar. Në tërësi ne duhet të shërojmë plazhet e dhunuara, tua heqim nga dora privatëve. Nuk ka arsye më që plazhi publik i Ksamilit të jetë plazh privat. 

Edi Rama: Plazhi i Dhërmiut nuk ka nevojë të ketë subjekte që vijën nga zona të tjerë për të vendosur çadra e shezllonge e beach bare që çmendin dynjanë me muzikën e tyre dhe hedhin ujërat e zeza në det. Kryetari i bashkisë së Himarës e ka treguar me shembull konkret se si bashkia mund të administrojë një plazh në përmasa modeste në Himarë, jo thjesht duke hapur zonën që të shtrihesh në rërë por duke pasur çadra të loguara me ngjyrat e bashkisë dhe një sërbim të pastër, dhe të këndshëm pa salltanete të mëdha dhe asnjë stres. Plazhe si ai i Durrësit, i Shëngjinit, apo i Velipojës që janë të mëdha nuk mund të kthehen në plazhe 100% të administruara nga bashkia por duhet të vazhdojnë në shembullin më të mirë dhe praktikat më të mira e të rrisin kërkesën për shërbim cilësor që i përgjigjet asaj që qytetari paguan. Një tjetër element që duhet parë përfundimisht është zhurma, muzika, tallavaja e beach bar-eve të vendosura jo për të shërbyer, por për të stresuar të gjithë dynjanë. Zona të tëra të banuara, ku 99% e pushuesve nuk janë prezent në ato beach bar-e, 99.9 duhet të vuaj ngritjen e muzikës në kup të qiellit. Ne do ta ndalojmë muzikën! Nuk do të ketë më muzikë në beach bar-e. Do bëjmë edhe një ridimensionim të numri të beach bar-eve dhe mënyrës se si do lidhen me shërbimin në tërësi.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB