SHBA- Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë disaditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizita vjen në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në New York, që zhvillohet nga data 22 deri më 28 shtator.
Gjatë qëndrimit, kreu i qeverisë shqiptare do të jetë pjesë e ceremonisë së hapjes së Debatit të Përgjithshëm të Asamblesë, ku pritet të mbajë edhe fjalën e tij.
Gjithashtu, agjenda parashikon pjesëmarrjen e Kryeministrit në pritje zyrtare, aktivitete të nivelit të lartë dhe takime me përfaqësues të politikës, ekonomisë dhe organizatave ndërkombëtare. Sipas agjendës, kryeministri Rama do të zhvillojë takime me përfaqësues të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara.
Në këtë vizitë, kryeministri do të shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, si dhe nga delegacioni zyrtar shqiptar./ZËRI