
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të premte kryebashkiakët në ambientet e Pallati i Kongreseve që prej orës 11:00. Sipas burimeve, takimi i zhvilluar me dyer të mbyllura në kuadër të turit të tij “Punët e Shqipërisë”, ka zgjatur 1 orë e 50 minuta.
Sipas burimeve, një nga çështjet që është disktuar në mbledhje lidhet me emergjencat civile në pushtetin vendor dhe përgjigjen më efikase në raste nevoje. Rama ka vënë theksin edhe te përpunimi i mbetjeve, sidomos në zonat turistike. Kreu i qeverisë ka kërkuar gjithashtu që të ketë më shumë angazhim për Paketën e Maleve për shkak të interesit të lartë. Lidhur me këtë, kryeministri ka kërkuar angazhim dhe punë të vrullshme nga ana e kryebashkiakëve, si një kusht për rikandidimin e tyre që lidhet pikërisht me këtë nismë.
Më herët u raportua se në këtë takim ishin ftuar jo vetëm kryebashkiakët që përfaqësojnë mazhorancën, por edhe ata që drejtojnë bashkitë nën siglën e opozitës.
Rrok Dodaj, kryetari demokrat i bashkisë së Pukës tha më herët se nuk është lejuar që të marrë pjesë në mbledhje. Por, më pas, ai bëri një sqarim publik, duke e cilësuar si keqkuptim teknik. Në reagimin e tij, Dodaj thotë se njoftimi i tij për pjesëmarrje kishte qenë një lapsus i organizatorëve dhe se emri i tij nuk përfshihej në listën e ftesave. Sipas tij, organizatorët, për shkak të situatës, i kanë kërkuar më pas që të marrë pjesë në takim, por ai është tërhequr.
Njoftimi i plotë:
Për hir të transparencës dhe informimit të saktë të opinionit publik, dëshiroj të sqaroj një situatë të krijuar gjatë zhvillimit të një takimi të njoftuar për ditën e sotme me Kryeministrin.
Pas një njoftimi paraprak për pjesëmarrje, u paraqita pranë ambienteve ku do të mbahej takimi. Në hyrje u konstatua se emri im nuk figuronte në listën përfundimtare të pjesëmarrësve. Nga komunikimi i mëtejshëm rezultoi se bëhej fjalë për një lapsus nga ana e organizatorëve, pasi jo të gjithë kryetarët e bashkive kishin qenë të përfshirë në listën zyrtare të ftesave, ndër të cilët edhe unë.
Situata u sqarua menjëherë në mënyrë institucionale dhe nga ana e organizatorëve pati një ndjesë për këtë pasaktësi dhe keqkuptim të krijuar si pasojë e njoftimeve të mëparshme. Gjithashtu, nga ana e tyre u shpreh gatishmëria për të më mundësuar hyrjen në takim, por në mirëkuptim të plotë të rrethanave dhe duke respektuar organizimin e përcaktuar, vendosa të tërhiqem.
E gjithë situata u zhvillua në një frymë korrekte dhe mirëkuptuese, duke mbetur në kuadrin e një keqkuptimi teknik, pa asnjë element tjetër përtej kësaj.
Faleminderit për mirëkuptimin.
Ndërkohë, disa prej kryetarëve demokratë pranojnë se kanë marrë ftesë, ndërsa të tjerë thonë se nuk janë ftuar. Kryetarët Miftar Dauti Hasit dhe Albert Mylyshi i Mirditës kanë deklaruar se nuk kanë marrë ftesë për këtë takim.
Takimi i së premtes është pjesë e vijimit të konsultimeve që Kryeministri Rama ka nisur që prej javës së kaluar me strukturat e Partisë Socialiste, pas diskutimeve të zhvilluara edhe në mbledhjen e Grupit Parlamentar. Ditët e fundit, numri një i kabinetit qeveritar ka mbajtur disa takime me strukturat e Partisë Socialiste në kryeqytet, si një parapërgatitje për zgjedhjet e ardhshme vendore. /ZËRI