
TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Klodian Braho, ka raportuar sërish sot në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, ku po prezanton raportin vjetor të institucionit për vitin 2025.
Gjatë raportimit, Braho theksoi se lufta kundër krimit të organizuar po zhvendoset gjithnjë e më shumë në një terren të ri, atë të krimit kibernetik, gjurmimit të kriptovalutave dhe analizës së provave digjitale.
Sipas Brahos, ky riorganizim është i domosdoshëm për t’iu përgjigjur natyrës së re të hetimeve, ku korrupsioni, krimi i organizuar dhe pastrimi i parave kanë kaluar prej kohësh kufijtë shtetërorë.
Ai u ndal gjithashtu te bashkëpunimi ndërkombëtar, të cilin e cilësoi si një prioritet të vazhdueshëm të SPAK-ut, në përballjen me krimin e organizuar me dimension ndërkufitar.
Klodian Braho: “Inteligjencës kriminale, veprimtarisë operative taktike, gjurmimit të kriptovalutave dhe hetimit të krimit kibernetik. Ky riorganizim është i nevojshëm për t'iu përgjigjur natyrës së re të hetimeve, ku provat digjitale, analiza financiare dhe inteligjenca kriminale janë po aq të rëndësishme sa dhe veprimet procedurale.
Së nënti, në zbatim të rekomandimit numër 10 për bashkëpunimin ndërkombëtar, kjo ka qenë një prioritet i vazhdueshëm i SPAK-ut. Krimi i organizuar, pastrimi i parave dhe korrupsioni me dimension ndërkufitar, kriptovalutat dhe provat elektronike kërkojnë bashkëpunim të shpejtë, të besueshëm dhe të strukturuar.
Gjatë vitit 2025, ky bashkëpunim është konkretizuar me 95 kërkesa për ndihmë të ndërsjellë juridike të ardhura nga 7 shtete, si dhe 156 kërkesa për ndihmë juridike nga SPAK drejt 31 shteteve”./ZËRI