TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka ironizuar Qeverinë gjatë diskutimeve në Kuvend për përdorimin dhe përhapjen e Inteligjencës Artificiale në institucionet publike.
Gjatë diskutimit të projektligjit “Për ratifikimin e Konventës kuadër të Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës”, Korreshi tha me ironi se ndërsa Qeveria flet për Inteligjencën Artificiale, në fshatra njerëzit janë akoma te parmenda.
Në vijim të komenteve të tij me tone ironike, Korreshi përmendi edhe problematikat që sipas tij, janë hasur në sistemet e administratës publike. Ai nuk harroi të sillte në Kuvend as problematikat nëpër spitale, duke thënë se 'qendrat shëndetësore nuk kanë as poç, nuk ka shkuar as energjia elektrike'.
“Ne nga fshati jemi akoma te parmenda, ju po na çoni te Inteligjenca artificiale. Unë kam parë që qendrat shëndetësore nuk kanë as poç, nuk ka shkuar as energjia elektrike. Si do bëj ajo infermierja apo doktoresha në këto qendra shëndetësore, për të hyrë te sistemi juaj. Me ça mrrokulle do hyjnë. Do dali në pazar të gjejë një kamer me inteligjencë artificiale? Kjo është inteligjenca juaj artificiale. E nisët me Diellën, morët ca lekë. Aktorja tha më hiqni surratin se më morët më qafë. Kjo është situata. Pastaj ju thoni do vëmë kamera nëpër shkolla, kamera këtu e atje. Ore i keni parë ndonjëherë sistemet sot si funksionojnë? Shkoni te Kadastra, 3 muaj nuk punonte ASHK se s’punonte mrrokulla. I morëm mrrokullat nga Lushnja në kurriz e i çuam në Fier. Ju keni sahatët në rrugë, po i shkel lopa, po i ha gomari, ju thoni Smart City. Mos na merrni edhe të dhënat e kalamajve, se s’ka patronazhistë tuajët që s’na dinë edhe numrin e këmbës, me çorape të grisura apo jo, i kemi prerë thonjtë apo jo. Që në mëngjes atë punë bëjnë”, tha mes të tjerash Korreshi./ZËRI