Politikë

"Shko pi një kafe me Lindën", Berisha-Spahiut: Fillim më të mbrapshtë nuk ka, jep dorëheqjen

Berisha iu referua edhe paraardhëses së Spahiut, Evis Sala, për të cilën tha se ishte “studiuese e rrallë” dhe se me dorëheqjen e saj kishte mbrojtur integritetin.

zh.ll
"Shko pi një kafe me Lindën", Berisha-Spahiut: Fillim
sali berisha-klodiana spahiu

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shkëmbyer replika me ministren e re të Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, pasi kjo e fundit premtoi se në rast se nuk do të sjellë “PETScan” në Institutin Onkologjik, në janar të 2027-ës, do të japë dorëheqjen.

Berisha iu referua edhe paraardhëses së Spahiut, Evis Sala, për të cilën tha se ishte “studiuese e rrallë” dhe se me dorëheqjen e saj kishte mbrojtur integritetin. Demokrati i kërkoi Spahiu largimin nga detyra, teksa i sugjeroi të "pinte një kafe me Lindën, referuar Majlinda Karçanajt. 

“Kësaj zone që ikën kështu dhe që u betua e stërbetua këtu dua t’i them dy fjalë. Pararendësja juaj, ajo ka qenë një studiuese e rrallë me punime që me u marrë të gjithëve së bashku nuk bëni dot as 1 e 10 e saj në Krembrixh dhe universitete të tjera. Në një moment të caktuar, kur thonë ia mori ai mendjen dhe pranoi detyrën e ministres. E vërteta në dorëheqjen e saj, ajo mbrojti integritetin e vet. Pavarësisht nga akuzat mbi të, kur erdhi puna që iu propozua skema e vjedhjes më të madhe të të sëmurëve, ajo tha mirupafshim.

Pasardhësja u betua e stërbetua këtu, kam vetëm një këshillë, shko dhe vetëm pi një kafe jo me Lindën e Surrelit, por me Lindën tjetër. Me drejtoreshën, të të rrëfejë ajo dramën e saj në mënyrën që uroj të mbledhësh mendjen dhe të japësh dorëheqjen një minutë e më parë nga ajo detyrë. Fillim më të mbrapshtë nuk mund të kishte se të fusje aty patronazhisten, Lindën e Surrelit, kunati i së cilës është strumbullari i të gjitha vjedhjet e qindra milion eurove në AKSHI. S’i del emri vetëm se është kunati i Lindës.“, tha Berisha.

Nga ana tjetër, ministrja Klodiana Spahiu iu përgjigj Berishës duke deklaruar se në këtë detyrë do t'u shërbejë vetëm qytetarëve. Ajo tha se nuk ka takuar dhe nuk do të takojë “asnjë Lindë”.

“Është diferencë e madhe kur njeriu ndryshon në rrugëtimin e tij dhe politika e ndryshon njeriun. Jam përpjekur që politika të mos më ndryshojë. Keni qenë profesori im dhe nuk dua të pranoj që të përgojohen gratë në atë foltore. Unë nuk kam takuar asnjë Lindë dhe nuk do të takoj asnjë Lindë.

Do t’ju sugjeroja në mënyrë të veçantë, mos e përdorni më këtë strategji për gratë e vendit tonë. Të jeni i sigurt se unë jam në këtë detyrë për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe për t’u garantuar se çdo qindarkë e taksave të tyre do të jetë në shërbim të shëndetit”, tha Spahiu.

Poll

MOS HUMB