Politikë

Kodi i ri i Procedurës Penale/ Bardhi: Nga burg për të gjithë, te liria për Ramën

Sipas Bardhit, qëndrimi i kryeministrit ndaj paraburgimit ka ndryshuar vite pasi Këshilli i Europës kishte ngritur shqetësimin për përdorimin e tepruar të kësaj mase.

M.K.
Kodi i ri i Procedurës Penale/ Bardhi: Nga burg për të
gazment bardhi

TIRANË- Ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale kanë sjellë reagimin e kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi.

Pas prezantimit të ndryshimeve nga kryeministri Edi Rama, Bardhi ka akuzuar kreun e qeverisë se po kërkon të ndryshojë rregullat për masat e sigurimit personal, duke e lidhur këtë nismë me interesat e tij politike dhe personale.

Në reagimin e tij, Bardhi rikthen në vëmendje politikën penale të qeverisë Rama që prej vitit 2013 duke përmendur përdorimin e gjerë të masës së paraburgimit dhe arrestimeve gjatë operacioneve për energjinë, ndërtimet pa leje dhe shkelje të tjera.

Sipas Bardhit, qëndrimi i kryeministrit ndaj paraburgimit ka ndryshuar vite pasi Këshilli i Europës kishte ngritur shqetësimin për përdorimin e tepruar të kësaj mase. Ai përmend një raport të janarit 2014 sipas të cilit nga tetori 2013 deri në shkurt 2014, numri i personave në paraburgim ishte dyfishuar duke arritur në rreth 2,300 persona.

Bardhi ndalet edhe te operacioni kundër vjedhjes së energjisë elektrike duke sjellë në vëmendje rastin e Qamil Zelës i cili  qëndroi në paraburgim për një borxh të energjisë dhe më pas u vetëvra në qeli.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së e lidh ndryshimin e qëndrimit të Ramës me arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në shkurt 2025. Bardhi rikujton deklaratat e kryeministrit pas arrestimit të Veliajt kur Rama foli për “burgosje pa gjyq” dhe u shpreh se procesi gjyqësor mund të vijonte edhe në gjendje të lirë.

Në vijim të reagimit, Bardhi përmend edhe emra të tjerë të politikës dhe administratës duke pretenduar se ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale lidhen me interesat e kryeministrit.

Reagimi i Bardhit:

Një ligj i ri për hallet e vjetra të Ramës! Edi Ramës nuk i intereson se kush rri në paraburgim me të drejtë dhe kush jo. Po t’i interesonte vërtet, nuk do ta kishte shpallur dhe ndjekur “BURGUN” si rrugën e shkurtër të zgjidhjes së çdo problemi social në Shqipëri, që ditën e parë të ardhjes në pushtet. Burg për ndërtimet pa leje. Burg për energjinë. Burg për punën në të zezë. Burg gjatë COVID-it. Sa herë ai dështonte të mbante një premtim elektoral, përgjigjja politike ishte e njëjta: më shumë penalizim, më shumë burg.

Në tetor 2014, gjatë operacionit për energjinë, u arrestuan mbi 1 mijë persona vetëm në muajt e parë. Një politikë që pati edhe histori tragjike. Qamil Zela, 52 vjeç, baba i tre fëmijëve, qëndroi dy muaj në paraburgim për një borxh prej 35 mijë lekësh të vjetra dhe, më 28 dhjetor 2014, u vetëvar në qeli.

Prandaj Edi Rama nuk mund ta sjellë sot Këshillin e Europës sikur sapo ka zbuluar se Shqipëria ka problem me paraburgimin. Këshilli i Europës e kishte thënë këtë që në muajt e parë të qeverisjes së tij. Më 16 janar 2014, Këshilli i Europës paralajmëroi për “mbështetjen e tepruar te paraburgimi” dhe rekomandoi që kjo masë të përdorej vetëm si zgjidhje e fundit, duke u dhënë përparësi alternativave. Raporti i Këshillit të Europës konstatoi se, nga tetori 2013 deri në shkurt 2014, numri i të paraburgosurve ishte dyfishuar, duke arritur rreth 2,300 persona, ose afërsisht 40% të të gjithë popullsisë së burgjeve.

Pra, Edi Rama e dinte. Paralajmërimi europian ishte bërë dhe shkaktari ishte identifikuar: politika e qeverisë. Atëherë, kur iu kujtua Edi Ramës se liria duhet të jetë rregulli dhe burgu përjashtimi? Sigurisht, jo në vitin 2014, kur Këshilli i Europës ngrinte alarmin. Jo kur, sapo ai erdhi në pushtet, paraburgimet u dyfishuan. Dhe jo kur Qamil Zela u vetëvar në paraburgim për energjinë elektrike. Edi Rama u kujtua se kishte shkaktuar këtë problem në shkurt 2025, pas arrestimit të Erion Veliajt.

Më 12 shkurt 2025, dy ditë pas arrestimit, Edi Rama foli për “burgosje pa gjyq” të Veliajt dhe tha se gjykimi mund të vazhdonte në gjendje të lirë. Vetëm atëherë zbuloi edhe “zonën e lirisë” të Këshillit të Europës. Jo se i dhimbset Veliaj. Edi Rama po punon për veten. Ergys Agasi ka shumë për të thënë. Belinda Balluku ka shumë për të thënë. Besoj të gjithëve u kujtohet deklarata publike se SPAK-u nuk ia merrte dot telefonin Edi Ramës. Ndryshimet e sotme shpjegojnë gjithçka. Deri tani Edi Rama ka bërë ligje me porosi për të tjerët. Sot, po qep një ligj sipas masës së vet./ZËRI

Poll

MOS HUMB