TIRANË-Këshilli i Sigurisë Kombëtare do të mblidhet sor në orën 08:30, në Pallatin e Brigadave, me thirrjen e Presidentit Bajram Begaj. Takimi vjen pas arrestimit të ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, e cila akuzohet se i ka dhënë informacione sekrete Ergys Agasit gjatë arratisjes së tij.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare përbëhet nga drejtuesit e 13 institucioneve dhe drejtohet nga Presidenti i Republikës. Në takim do të jetë edhe kryeministri Edi Rama, i cili u kthye një ditë më parë në Shqipëri pas vizitës së tij në SHBA.
Pas vendosjes së masës ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Rama deklaroi se Hyseni duhet të përballet individualisht me drejtësinë, por e cilësoi masën e marrë ndaj saj si ekstreme. Në mbledhje do të marrë pjesë edhe drejtuesi i komanduar i SHISH-it, Elvis Lila, i cili do ta drejtojë institucionin deri në zgjedhjen e një drejtuesi të ri.
ANËTARËT E KËSHILLIT TË SIGURIMIT
Këshilli i Sigurimit Kombëtar kryesohet nga Presidenti i Republikës.
1. Kuvendi – Kryetari Niko Peleshi
2. Këshilli i Ministrave – Kryeministri Edi Rama
3. Ministria e Mbrojtjes, Ermal Nufi
4. Ministria përgjegjëse për Punët e Jashtme, Ferit Hoxha
5. Ministria e Drejtësisë; Toni Gogu
6. Ministria përgjegjëse për Punët e Brendshme; Ervin Demo
7. Ministria përgjegjëse për Financat; Erion Malaj
8. Ministria përgjegjëse për Transportin; Enea Karakaçi
9. Ministria përgjegjëse për Energjinë; Enea Karakaçi
10. Komisioni i përhershëm parlamentar përgjegjës për sigurinë dhe mbrojtjen – kryetari i tij; Bledar Çuçi,
11. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura – Shefi i Shtabit; Arben Kingji
12. Shërbimi Informativ i Shtetit – Drejtori; Elvis Lila
13. Policia e Shtetit – Drejtori i Përgjithshëm. Skënder Hitaj
Ish-drejtoresha e SHISH është nën hetim për veprat penale që lidhen me përkrahjen e autorit të krimit dhe nxjerrjen e sekretit shtetëror ose të shërbimit. Hetimet janë vijim i dosjes së AKSHI-t, ku në fokus është edhe biznesmeni Ergys Agasi.
Në kuadër të hetimit në pranga kanë rënë edhe Fatjon Kalluçi, shef tek laboratori Shkencor i Policisë, si edhe Embro Sulejmani, kryekamerieri i lokalit te rezidenca qeveritare në Durrës, i cili dyshohet se ka fshirë kamerat e sigurisë pas arrestimit të Ergys Agasit për të fshehur gjurmët e tij në këto ambiente. Në dorën e SPAK kanë rënë disa materiale sekrete të SHISH, ku 9 prej tyre janë gjetur në makinën e Agasit, në kuadër të kontrolleve në “Equos Resort” më datë 22 korrik. Me urdhër të GJKKO kontrolle u kryen edhe në banesën e ish-kryepolicit Ilir Proda./ZËRI