TIRANË- Ministri i Financave, Petrit Malaj gjatë konferenës së sotme për shtyp ka njoftuar se indeksimi i pensioneve mund të ndodhë në qershor ose korrik, por ende nuk ka një vendimmarrje nga ana e qeverisë. Sipas ministrit për shkak të ardhurave të mbledhura nga Tatimet shuma e kompensimit është 6 deri në 6.5 milionë euro.
“Po e diskutojmë me ISSH, kemi krijuar hapësirat e nevojshme buxhetore për ta afruar procesin e indeksimit në qershor ose korrik. Është çështje vendimmarrjeje që do ta ndajmë sapo të kemi dakordësinë. Të dhënat më të fundit e Drejtorisë së Tatimeve kanë rritje të faturave me 23%, deri në këtë moment shuma potenciale e kompensimit është 6-6.5 milionë euro. Procesi do të zgjasë deri në fund të muajit qershor”, tha ministri.
Malaj u ndal edhe tek sigurimi i detyrueshëm i banesave, ku njoftoi se Projektligji mund të paraqitet në Kuvend rreth fundit të qershorit ose korrikut, pasi ka kaluar në të gjitha ministritë për konsultim.
“Projektligji është ndarë me të gjitha ministritë dhe jemi duke bashkërenduar ndryshimet më të fundit. Shpresoj që deri në fund të qershorit ose korrik të kemi mundësinë ta përcjellim në qeveri. Shpenzimet kanë ndjekur trajektore të qëndrueshme. Totali i shpenzimeve buxhetore ka qenë në masën 242 miliardë lekë. Kemi një rritje në masën 6.3% më shumë dhe janë rreth 135 milionë euro më shumë”, tha Malaj.
Ministri i Financave u ndal edhe të Paqja Fiskale, ku sot është edhe afati fundit i regjistrimit të bizneseve përfituesve nga kjo skemë fiskale. Ndërkohë, vijon puna për çmimet e referencs së banesave.
“Në lidhje me referencat, grupi i punës është ende duke punuar, procesi është më kompleks, ka diskutim intensiv dhe kur t’i kemi gati çmimet e referencës, do t’i ndajmë me ju. Ky proces nuk e pengon procesin e rivlerësimit”, tha Malaj./ZËRI