Politikë

Ilir Beqaj sot sërish në komisionin hetimor, pritet dëshmia e ish-ministrit

E gjitha nisi sepse Beqaj kërkoi që deklaratën e tij ta bënte me "PowerPoint", kërkesë që u refuzua nga kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi dhe opozita.

k.m.
Ilir Beqaj sot sërish në komisionin hetimor, pritet dëshmia e
Ilir Beqaj

TIRANË- Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj do të rikthehet sot në Komisionin Hetimor për koncensionet në Shëndetësi, Sterilizimin dhe "Check-up". Pritet që sot, ndryshe nga dje, seanca për marrjen në pyetje të dëshmitarit kyç të zhvillohet pa debate mes palëve, të cilët dje u përplasën me njëri-tjetrin. E gjitha nisi sepse Beqaj kërkoi që deklaratën e tij ta bënte me "PowerPoint", kërkesë që u refuzua nga kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi dhe opozita. Por maxhoranca ishte pro kërkesës së ish-zyrtarit të lartë, kështu që për më shumë se 9 orë, debati është zhvilluar vetëm për këtë çështje. Në fund, seanca u vendos që të shtyhej për sot, por nuk dihet nëse çështja e prezantimit të Beqajt është zgjidhur dhe si do ta bëjë ish-ministri deklaratën e tij. 

Megjithatë, edhe sot me leje të posaçme, Beqaj do të lërë qelinë  dhe do të rikthehet në Kuvend për të shpjeguar rolin e tij si ministër në të dy koncensionet. Lidhur me këtë çështje, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është vënë nën hetim nga SPAK prej më shumë se një viti. Beqaj është i dyshuar për shpërdorim detyre lidhur me 2 tendera të firmosura, për sterilizimin dhe check up. Këto 2 çështje janë duke u hetuar nga 3 prokurorë. Koncensionin e sterilizimit po e hetojnë prokurorët Edvin Kondilli dhe Ened Nakuçi, ndërsa atë të 'check up' po e heton prokurorja Elida Kaçkini.

Më 18 mars, SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve, ndërsa iu komunikoi akuzat 8 personave të tjerë të përfshirë në dosjen e 2 koncensioneve. Por aktualisht, Beqaj është në burg që prej datës 4 korrik, pasi akuzohet për abuzim me fondet e BE-së gjatë kohës së mbante postin e drejtorit të Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Detyrë që e ka mbajtur pasi liroi postin si ministër i Shëndetësisë./ZËRI

Poll

MOS HUMB