Politikë

'137 qytetarëve u shkoi 2 herë fleta e votimit'/ PD kërkon sqarime nga KQZ: Si do të rregullohet?

PD ka kërkuar sqarime nga KQZ në lidhje me këtë problem dhe masat që janë ndërmarrë për të shmangur situata të tilla.

I.F
'137 qytetarëve u shkoi 2 herë fleta e votimit'/ PD
Foto ilustruese

TIRANË- Partia Demokratike përmes një shkrese ka kërkuar sqarime në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në lidhje me pretendimet se 137 qytetarë rezultojnë në dy listat e zgjedhësve: në votuesit nga jashtë vendit, dhe në territorin e Shqipërisë. Në letrën e drejtuar, PD shprehet se ekziston rreziku që këta individë të votojnë dy herë. PD ka kërkuar sqarime nga KQZ në lidhje me këtë problem dhe masat që janë ndërmarrë për të shmangur situata të tilla. Po ashtu, kërkon edhe informacione nëse ka individë të tjerë që rezultojnë dy herë në regjistrin e zgjedhësve.

'137 qytetarëve u shkoi 2 herë fleta e votimit'/ PD
Letra

“Nisur nga sa më sipër, kemi disa pyetje për të cilat kërkojmë përgjigje me shkrim nga ana e KQZ:

A janë kryer auditimet e nevojshme dhe a ka rezultuar ky problem gjatë tyre? Nëse po, cili është numri i rasteve të identifikuara në shkallë vendi dhe sipas çdo qarku? Cili është shpjegimi zyrtar për praninë e këtyre 137 rasteve të regjistrimit të dyfishtë? Çfarë masash janë marrë për eliminimin e dublimeve dhe për parandalimin e votimit të dyfishtë nga këta shtetas? Në rast se është bërë eliminimi i dublimit, në cilën listë do të mbetet zgjedhësi: në listën e votimit nga jashtë (sipas vullnetit të shprehur) apo në listën në RSH, ku është regjistruar në mënyrë pasive? Duke qenë se afati i finalizimit të listës së votuesve nga jashtë ka qenë më i hershëm sesa ai për listën e votuesve brenda territorit të RSH, cila ishte arsyeja që këta shtetas nuk janë ç'regjistruar nga lista e gjeneruar nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile? A keni identifikuar përgjegjësi ligjore për këto probleme në institucionet që hartojnë listat përkatëse, përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile? Çfarë veprimesh administrative, disiplinore apo ligjore janë marrë, ose parashikohen të merren, për zyrtarët që nuk kanë garantuar saktësinë e regjistrave? Lidhur me këto shqetësime, kërkojmë të na vihen në dispozicion të gjitha të dhënat dhe evidencat e këtyre rasteve, të ndara sipas qarqeve.

Po ashtu, vërejmë një tjetër problematikë që lidhet me zgjedhësit nga Diaspora, të cilët janë regjistruar përmes procedurës së gjykimit "online" dhe kanë fituar të drejtën e votës me vendim gjykate. Kjo procedurë është parashikuar në Kodin Zgjedhor, si dhe në Vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Komisionit Rregullator të KQZ-së. Pavarësisht kësaj, një numër prej tyre nuk janë reflektuar në listat përfundimtare të votuesve nga jashtë, çka përbën shkelje të të drejtës së votës dhe vendimeve gjyqësore të formës së prerë.

Kërkojmë përgjigje të qarta mbi sa vijon: Sa raste të tilla me vendim gjykate janë regjistruar në total si zgjedhës nga jashtë nga KQZ dhe sa raste keni marrë informacion që nuk kanë gjetur dot emrin në listat e votuesve nga jashtë? Sa prej tyre janë adresuar dhe përfshirë në listat e votuesve nga jashtë? Si do të rregullohen rastet ku ende nuk janë nisur fletët e votimit drejt zgjedhësve në Diasporë, por nga ana tjetër, zgjedhësit duhet të jenë të regjistruar në listat e votuesve brenda vendit, në zbatim të vendimeve të gjykatave?

Duke qenë se këto shqetësime përbëjnë shkelje të rënda dhe rrezikojnë të prishin themelin e procesit demokratik të zgjedhjeve, ju lutemi të na siguroni këto sqarime dhe dokumente brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e marrjes së kësaj shkrese”, thuhet në letër./ZËRI

Poll

MOS HUMB