
VLORË- Ardi Veliu ka marrë një tjetër detyrë nga Partia Socialiste! Kësaj here, drejtori i kompanisë që merret me prodhimin e armëve shqiptare, "KAYO", Veliu është "deleguar" në Vlorë. Burime për "Lapsi" bëjnë me dije se Veliu është prezantuar disa ditë më parë në Vlorë si një nga koordinatorët elektoralë të socialistëve. Veliu do të jetë në krah të ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vëngu, i cili është i dërguari politik në Vlorë. Ishte pikërisht ky i fundit, që e bëri prezantimin e ish-kryepolicit me organizatat socialiste.
Por kush është Ardi Veliu?
Ardi Veliu u zgjodh drejtori i ri i Policisë së Shtetit më 5 shkurt të vitit 2018 si propozim i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj për të zëvendësuar në detyrë Haki Çakon, i cili u lirua nga posti po atë vit më 8 janar. Veliu më pas la detyrën si kryepolic më 5 Tetor 2021. Më pas, u emërua në postin e zv/ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë. Edhe këtë detyrë e la në mes, pasi më 2 shtator 2022 u caktua në krye të Agjensisë së Mbikqyrjes Policore. Edhe në këtë post nuk zgjati shumë, pasi u largua një vit më vonë. Tani, është në krye të kompanisë së parë shqiptare që do të prodhojë armë./ZËRI