TIRANË- Partia Socialiste ka propozuar këtë të mërkurë një sërë ndryshimesh në ligjin për Policinë e Shtetit, që synojnë heqjen e konkursit për postet kryesore drejtuese dhe riformatimin e sistemit të gradave. Sipas PS, ky proces është i tejzgjatur dhe pa produktivitet.
Sipas propozimit, drejtuesit e departamenteve dhe drejtorive nuk do të përzgjidhen më përmes konkursit. Ndërkohë që, ligji aktual, i miratuar në korrik 2024, kishte futur garën për postet më të larta, duke përfshirë Drejtorin e Përgjithshëm, drejtuesit e departamenteve, drejtorët e qarqeve dhe shefat e komisariateve. Me këtë sistem janë zgjedhur dy drejtuesit e fundit, Ilir Proda dhe Skënder Hita, përfshirë vartësit e tyre.
Një tjetër propozim, pas largimit nga detyra, ish-Drejtori i Përgjithshëm të marrë gradën “Drejtues i Parë” dhe të vijojë karrierën në polici në funksione këshillimore, akademike apo si oficer kontakti, duke mos humbur eksperiencën e tij për institucionin.
RELACIONI SHPJEGUES
Deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Rexha, i cili është dhe propozuesi i këtyre ndryshimeve ligjore kërkon heqjen e garës për postet kryesore te blutë, përveç drejtuesit madhor, dhe për këtë ka disa argumente në relacionin shpjegues.
"Procedura e përzgjedhjes së drejtuesve të strukturave të nivelit të lartë policor, është kthyer në pengesë në vetë ushtrimin e veprimtarisë së tyre, kanë ulur ndjeshëm reagimin dhe produktivitetin e veprimtarisë qoftë administrativ po ashtu dhe atë operativ, për shkak të një procesi konkurrimi të tejzgjatur në kohë dhe pa produktivitet përzgjedhje. Zhvillimi i këtij procesi, ka shtuar procedurat burokratike, formale dhe aspak efektive për përzgjedhjen e drejtuesve në pozicione të larta drejtuese, atë të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, drejtorit të departamentit, drejtuesit vendor dhe deri tek shefi i një komisariati", thotë Rexha në realcion.
Po ashtu, Deputeti Rexha propozon që pas largimit nga detyra më madhore ne polici, t’i jepet grada “drejtues i parë”, dhe në këtë mënyrë të vijojë karrierën në polici, në funksione të ndryshme.
"Një ish-Drejtor i Përgjithshëm nuk është thjesht një emër, por përfaqëson një investim dekadash të shtetit, me njohuri të larta akademike dhe eksperiencë edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Vlerësimi për krijimin e hapësirave ligjore për vijimin e tij në strukturat policore, mundëson që kjo eksperiencë të mos humbasë, por të përdoret në funksione këshillimore, pedagogjike në Akademi, apo si oficer kontakti. Kjo i përgjigjet nevojës që dija menaxheriale të vijojë t’i shërbejë institucionit, pa cenuar autoritetin e drejtuesit pasardhës", thotë Rexha në relacion.
Ndryshime propozohen edhe për sistemin e gradave. Deri më tani, të gjitha nivelet e gradave në polici kalonin nga një në tjetrën në 5 vite diferencë, por Rexha propozon që gradat “komisar” në “kryekomisar” dhe “kryekomisar” në “drejtues” të shkurtohen në 4 vjet.
"Një afat prej 5 vitesh për secilën gradë, vlerësohet më shumë si kriter formal dhe i tejzgjatur, duke krijuar një demotivim te profesionistët që prodhojnë rezultate. Në këtë këndvështrim, me synimin për një sistem më fleksibël, vlerësohet ulja e afatit të qëndrimit në këto grada, duke shmangur kohën si element formal dhe zhvendosur fokusin te performanca. Nuk ka sens që një punonjës policie i zoti, i cili jep rezultate në hetimin e krimit apo në rendin publik, t'i nënshtrohet një afati kaq të gjatë, ndërkohë që ka nevoja emergjente për të plotësuar vendet vakante në nivelin drejtues", thotë Rexha në relacion.
Drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit i jepet kompetencë për të shpërblyer me rritje në gradë edhe për raste të veçanta, pa kaluar pragun e viteve të përcaktuara. Në shenjë vlerësimi për akte heroike, sakrifica apo rrezikshmëri të lartë të ndërmarrë në shërbim të rendit dhe luftës kundër krimit, kryepolici mund të shpërblejë punonjës të caktuar me gradën pasardhëse.
Ndryshimet e propozuara pritet të kalojnë me radhë në komisionet parlamentare, aty ku pritet jo pak debat mes pozitës dhe opozitës. Pas komisioneve, brenda sesionit parlamentar pritet votimi në Kuvend dhe hyrja në fuqi./ZËRI