
TIRANË- Me arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kryeministrin Edi Rama duket se do të mbajë edhe detyrën që ka pasur dikur; atë të të parit të Tiranës. Këtë e ka zbuluar vetë duke u shprehur: Unë do të jem edhe kryetar bashkie në distancë. Do të takoj tani të gjithë drejtorët e përgjithshëm!
Në një mbledhje të Asamblesë së Partisë Socialiste që u mblodh në kushte urgjente, Rama kishte në krah vetëm ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliun. Në media po qarkullojnë disa prej deklarimeve të Ramës. Numri një i qeverisë ka pranuar se prangosja e Veliajt është një goditje e madhe për socialistët, madje shkon edhe më tej duke u shprehur se e gjitha po ndodh për “arsye elektorale”. Megjithatë nuk sqaron se nga kush vjen kjo “goditje” për socialistët.
Por duket se e ka një ide se kush është “goditësi” duke u shprehur se do të merret vetë me zbulimin e personit që ka bërë denoncimin me identitetin anonim Nesti Angoni.
“Nesti Angoni nuk ka asnjë shans të jetë një njeri i vetëm. Kam dyshimet e mia e do merrem edhe me këtë. S’ka njeri në republikë që mund të bëjë një hetim të tillë për gjithë jetën. Ka një dashakeqësi të madhe ndaj Erionit,”- tha ndër të tjera Rama. Gjithashtu nuk harroi që të sqaronte edhe njëhere se të gjitha shifrat për veshje nuk ishin personale, por për shfaqjet kulturore që kishte organizuar zonja Veliaj.
Fjalimin para socialistëve Rama e ka mbyllur me një kërkesë: Sa më shumë punë për t’u kompensuar dëmi që u mor nga kjo goditje!
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “arrest shtëpie”. Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion pasiv në 9 raste. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi./ZËRI