
TIRANË- Deputeti socialist Erion Braçe kërkoi në Komisionin e Ekonomisë të ndryshohet skema e TVSH-së (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar) në bujqësi, projektligj ky që u miratua pa asnjë votë kundër. Braçe tha se kjo skemë e miratuar në vitin 2018 ka dëmtuar sektorin dhe ka shtuar informalitetin, pasi ka favorizuar produktet e importit.
Socialisti u shpreh se projektligji i ri synon të krijojë konkurrencë të ndershme dhe ulje të çmimeve tek konsumatorët shqiptarë.
“Është skemë subvencionimi, por kur ajo është 0% s’ka kuptim, se nuk është subvencionim. Nuk prek as kodin zgjedhor, pasi nuk është favorizim. Synojmë të kthejmë në normalitet skemën e TVSH-së. Aplikohet me 0% TVSH në blerje nga bujku apo blegtori, dhe detyrohet të shesë me 20%, praktikisht nuk keni më tatim mbi vlerën e shtuar por tatim mbi qarkullimin. Kjo ka sjellë pasojë shumë të rënë në prodhimin vendas, ka favorizuar importin dhe produktet që vijnë nga importi dhe do vendosim barazi në prodhimin vendas. Do të aplikohet përmes një autofature dhe kur të llogaritet TVSH-ja do të bëhet siç ndodh në gjithë tregun, TVSH në shitje minus TVSH në blerje dhe mbetet TVSH-ja e pagueshme. Kjo nismë sjellë formalizim, pasi sot që flasim nuk ka asnjë faturë”, tha Braçe gjatë prezantimit të projektligjit në komisionin e ekonomisë.
Gjithashtu edhe opozita ishte pro këtij projektligji, pasi siç u shpreh deputetja demokrate Emilia Koliqi, politika e ndjekur prej 2018 ka sjellë ulje të prodhimit blegtoral në vend.
“Politika e ndjekur prej 2018-ës ka sjellë ulje të numrit të bagëtive, dhe të prodhimit blegtoral, dhe njëkohësisht ka shtuar emigracionin e bujqve e blegtorëve. Kjo skemë ka fuqizuar importin për të gjitha produktet”, tha Koliqi.
“Kjo skemë do të sjellë konkurrencë të ndershme dhe ulje të çmimeve për konsumatorët shqiptare”, u shpreh edhe deputeti socialist Alban Xhelili.
Sakaq, zëvendësministri i Bujqësisë Arian Jaupllari tha se së bashku me Ministrinë e Financave do të ngrihet një grup i posaçëm për të përgatitur aktet nënligjore dhe të ndryshohet skema e miratuar prej vitit 2018.
“Ministria e Bujqësisë është në parim dakord për çdo nismë që ndikon pozitivisht tek fermerët tanë. Edhe në 2018 kemi qenë që kjo TVSH të mos ndryshojë, dhe jemi gati që me Ministrinë e Financave, të bashkëpunojmë dhe ta ndihmojmë Ministrinë e Financave ta ndryshojë këtë tatim. Do të ulemi në grupet teknike për të përgatitur aktet nënligjore”, u shpreh zëvendësministri i Bujqësisë Arian Jaupllari.
Por, Braçe u shpreh skeptik përsa i përket bashkëpunimit mes dy instuticioneve, sipas tij, Ministria e Financave ende nuk ka ndërmarrë hapa për ndryshimin e kësaj skeme.
“Ministria e Financave vijon të mbajë të njëjtin qëndrim që nga thyerja e bërë në nëntor të 2018-ës, dhe nuk e ndryshojnë skemën dhe kurrë nuk e kanë mbajtur fjalën pasi kanë marrë angazhime për ta rishikuar skemën”, tha Braçe.
Përfaqësuesit e sektorit kanë ngritur shpeshherë shqetësimin për rritjen e kostove të prodhimit nga heqja e skemës së TVSh-së së kreditueshme. Në 2017, rimbursimi i TVSH ishte 20%. Skema e rimbursimit të TVSH-së iu mundësonte përpunuesve kompensimin e TVSH-së së zbritshme kur blinin mall të shoqëruar me faturë tatimore nga fermerët. Kompensimi me 20% i TVSh-së për periudhën tatimore, iu linte marzh të lartë fitimi përpunuesve, edhe kur e blinin qumështin nga fermeri me çmim të lartë. Më pas, nga 2019 deri në 2022, TVSH e kreditueshme u ul nga 20% në 6%. Ndryshimet fiskale të 2019-s sollën uljen e nivelit të TVSh-së 6% në blerje dhe 20% TVSH e shitjes për produktet e bulmetit. Ndërsa prej vitit 2022, TVSH e kreditueshme u bë 0%. Shoqata e Industrisë së Përpunuesve propozoi se heqja e skemës së TVSH-së së kreditueshme të zëvendësohej me një skemë të ngjashme me vendet e rajonit, që TVSH-ja të faturohet e njëjtë si në blerje, ashtu edhe në shitje, në nivelet 6 ose 9%. Kërkesa e tyre nuk u miratua nga Ministria e Financave, në hartimin e buxhetit të vitit 2022. /ZËRI