Politikë

Zgjedhjet/ Celibashi i kërkon Kuvendit të mos miratojë dy pr.ligje: Mund të ndikojnë në elektorat

Sipas tij, projektligjet për TVSH-në dhe “Për paketën e maleve” janë në kundërshtim me Kodin zgjedhor. 

k.m.
Zgjedhjet/ Celibashi i kërkon Kuvendit të mos miratojë dy
Ilirjan Celibashi

TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë që të mos miratojë dy projektligje me ndikim fiskal. Kjo pasi sipas KQZ-së, kalimi i ligjeve mund të ndikojë në elektoratin që do të votojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 11 majit. Kërkesa u bë në rrjetet sociale nga kryekomisioneri, Ilirjan Celibashi, i cili pasi ndoqi punimet e Komisioneve parlamentare, bëri edhe kërkesën publike. 

Sipas tij, projektligjet për TVSH-në dhe “Për paketën e maleve” janë në kundërshtim me Kodin zgjedhor. 

POSTIMI I PLOTË:

Sot në seancën publike konstatova se miratimi i dy projektligjeve, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92, datë 24.07.2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’” dhe projektligjit “Për paketën e maleve”, nuk respekton kërkesat e nenit 91, pika 4, të Kodit Zgjedhor. Ky vendim bazohet në parimin e neutralitetit të institucioneve shtetërore gjatë periudhave zgjedhore, me synimin për të shmangur çdo ndikim të mundshëm mbi elektoratin përmes ndryshimeve në politikat fiskale apo ekonomike. Në këtë kontekst, miratimi i këtyre projektligjeve, të cilat prekin politika të rëndësishme fiskale, mund të krijojë perceptimin e përdorimit të mjeteve ligjore për qëllime elektorale. Për këtë arsye, i kërkoj Kuvendit të Shqipërisë të mos i shqyrtojë këto dy projektligje në seancë plenare.

Edhe pse kërkesa është bërë publike, ende nuk ka një reagim zyrtar nëse "tërheqja" e vëmendjes nga Celibashi do të merret parasysh nga ligjvënësit në Kuvend./ZËRI

Poll

MOS HUMB