TIRANË- “KUR SIMBOLIKA BËHET MESAZH POLITIK.”- kështu zgjodhi ta niste shkrimin e tij ish-deputeti socialist Nazmir Bilani. Bilani është një nga ish-deputetët veteranë të PS, i zgjedhur në legjislaturën e 26, kur në Kuvend socialistët përfaqësoheshin nga emra si Anastas Angjeli, Arben Malaj, Bardhyl Agasi, Et'hem Ruka etj.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bilani ka shkruar rreth Partisë Socialiste dhe takimit të mbajtur në nder të 35-vjetorit të kësaj partie në Elbasan dhe Durrës. Ish-deputeti ka komentuar edhe dekoratën që iu dha Bardhyl Agasit babait të Ergys Agasit, njëkohësisht dhe ish-sekretar i Partisë Socialiste në kohën kur kjo forcë politike drejtohej nga Fatos Nano. Ndërsa në foton që shoqëron shkrimin është dhe momenti kur Blendi Klosi dekoron ish-deputetin durrsak Jurgis Çyrbja, i sapodalë nga burgu pas një dënimi 2-vjeçar për përfshirje me një grup kriminal.
Këto dy momente kanë sjellë dhe reagimin e ashpër të ish-socialistit.
Bilani, në reagimin e tij, i drejtohet Bardhyl Agasit, duke thënë se ai ka heshtur kur partia është afruar me botën e krimit, kur është larguar nga demokratizimi i brendshëm, kur është pranuar deformimi i votës nga krimi dhe korrupsioni. Madje, ai shprehet se Bardhyli nuk u distancua, por doli publikisht në mbështetje të pushtetit të sotëm, i cili perceptohet si i lidhur ngushtë me korrupsionin dhe strukturat kriminale. Ai i drejtohet duke thënë se Agasi ka dështuar si politikan, por edhe si prind.
“KUR SIMBOLIKA BËHET MESAZH POLITIK”
“Kam ditë që mendohem nëse duhet t’i shkruaj këto radhë. Vendosa të mos hesht, sepse heshtja përballë së keqes të bën pjesë të saj.
Ju, Bardhyl, dhe shumë të tjerë në PS heshtët:
kur partia u largua nga demokratizimi,
kur u afrua me botën e krimit,
kur u grabit prona publike,
kur vendi u shpopullua,
kur arsimi dhe shëndetësia u degraduan,
dhe kur vota u deformua nga korrupsioni dhe krimi.
Heshtët edhe kur shumë drejtues të Rilindjes përfunduan nën hetim, duke pranuar normalizimin e një kulture politike pa standard moral.
Por përgjegjësia juaj, Bardhyl, është edhe më e rëndë, sepse jo vetëm nuk mbajtët distancë morale, por dolët publikisht në mbështetje të një pushteti që sot perceptohet i lidhur me korrupsionin dhe rrjete kriminale. I thurët lavde tutorit të tët biri.
Më e pakta që mund të bënit ishte heshtja dhe refuzimi i certifikatës që ju njolloste, por ju nuk u ngritët në këtë lartësi.
Ju u bëtë pjesë, duke e shkelmuar kontributin e së kaluarës.
Ju keni dështuar si politikan, por edhe si prind.
Dalja juaj publike në krah të njerëzve të përfolur apo të hetuar nuk u lexua si akt personal, por si simbolikë politike.
E njollosët veten për herë të dytë.
Problemi nuk është thjesht një certifikatë apo një vlerësim formal. Problemi është mesazhi që përcillet.
Ah, se për pak harrova: certifikata që ju dha ishte mesazh për Gysin:
“Mos fol, mos u bë penduar.”
Për partinë, mesazhi është:
“Besnikëria politike vlen më shumë se përgjegjësia morale.”
Për botën e krimit:
“Lidhjet me pushtetin mbeten të vlefshme edhe kur ka hetime.”
Për SPAK-un:
“Pushteti politik nuk ndjen nevojë të distancohet nga figurat problematike.”
Ndërsa për publikun krijohet bindja se arroganca politike është bërë më e fortë se ndjeshmëria morale.
Edhe partnerët ndërkombëtarë e lexojnë simbolikën. Në sisteme ku besimi te institucionet është i dobët, simbolika shpesh ka më shumë peshë sesa vetë akti administrativ.
Prandaj problemi nuk është vetëm kush u nderua, por çfarë legjitimohet publikisht dhe në çfarë momenti politik.”- shkruan ish-deputeti.
Ky reagim i tij nuk ka kaluar pa komente dhe replika. Ndër to ishte edhe ai i gazetarit Mentor Kikia, i cili i ka dalë në krah Bardhyl Agasit, duke thënë se ai ishte një politikan modest dhe se Bilani po kërkon nga Agasi të shkojë përtej asaj që ai ka qenë. Nuk ka munguar as përgjigjja e ish-deputetit, i cili i thotë Kikisë se qëllimi i shkrimit nuk është vetëm për Agasin, por për një spektër më të gjerë.
Ergys Agasi është përfshirë në hetimet e SPAK për dosjen e AKSHI-t lidhur me abuzime në tendera. Sipas hetimeve, rreth 12 procedura prokurimi janë manipuluar për të favorizuar subjekte të caktuara, në kundërshtim me ligjin dhe parimet e konkurrencës së ndershme. Po ashtu, ai dyshohet për shantazh dhe pengmarrje, së bashku me Ermail Beqirin, ndaj biznesmenit Gerond Meçe, me qëllim detyrimin e tij për t’u tërhequr nga garat për tendera në AKSHI.
Ndaj tij rëndojnë akuza për konkurrencë të paligjshme përmes dhunës, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, heqje të paligjshme të lirisë, pastrim parash dhe vepra të tjera penale. Ndërsa Jurgis Çyrbja ka përfaqësuar qytetarët e Durrësit në Kuvend gjatë viteve 2017-2021. Ai u arrestua nga SPAK në vitin 2024, ku u akuzua për tre vepra penale: “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, “Përkrahje e autorit të krimit” dhe “Tregtim i sekretit shtetëror nga shtetasit”./ZËRI