Politikë

"Shteti po fal Zvërnecin"? Rama: Ajo është pronë private 'dembabadem', s'ka tokë shtetërore në zonë

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te lajmet e fundit në zhvillimet në Zvërnec, që ka ngjallur reagime të ashpra dhe protesta nga banorët e zonës.

zh.ll
"Shteti po fal Zvërnecin"? Rama: Ajo është pronë
edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama mori pjesë në prezantimin e Albanian Digital Solution Sh.A., një iniciativë që synon modernizimin e shërbimeve dhe forcimin e inovacionit teknologjik të vendit. 

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te lajmet e fundit në zhvillimet në Zvërnec, që ka ngjallur reagime të ashpra dhe protesta nga banorët e zonës. Rama sqaroi se shteti nuk ka falur asgjë, pasi ajo tokë nuk i përket shtetit, por ka qenë historikisht pronë private. Kreu i qeverisë theksoi se investitorët që po hyjnë në këtë biznes janë seriozë dhe marrëveshjet i kanë bërë drejtpërdrejt me pronarët privatë. 

Nga ana tjetër, Rama foli për ishullin e Sazanit, i cili është pronë e shtetit. Këtu situata ndryshon, e mgjithatë, Rama thekson se toka do të mbetet e shtetit shqiptar përmes Korporatës së Investimeve.

“Është një përpjekje që ne besojmë shumë se do ja dalim me sukses, duke e kthyer ne realitet. Duke e kthyer në realitet, do të thotë që disponojmë një produkt të prodhuar në vendin tonë, që është i eksportueshëm.

Korporata Shqiptare e Investimeve është një realitet sot që flet qartësisht për epërsinë e kësaj qasje, në raport me atë të mëparshëm, që ishte e gurëzuar nga koha dhe mekanizmat e dobët që kishim në dispozicion. Korporata e Investimeve sot ka krijuar një portofol me një kapacitet mbi gjysmë miliard euro që do të shkojnë në interes të shtetit shqiptar, duke mos bërë asgjë tjetër veç pronave publike, duke i vendosur edhe për interesat e shtetit. Jo vetëm kurdo dhe kudo dhënie të pronës publike në emër të zhvillimit, diçka që është bërë në të shkuarën dhe me të drejtë se s’ka pasur mundësi të tjera.

Po dalin disa lajme me demek shteti po fal Zvërnecin. Shteti nuk po fal asgjë, sepse shteti aty nuk ka asgjë. Ajo është një pronë private, dem baba dem. Investitorët e përfshirë në atë biznes, janë investitorë seriozë që atë pronë e kanë marrë nga privatët.

Shteti ka pasur në anën tjetër të projektit, ku është ishulli i Sazanit, ku ende nuk kanë mbaruar negociatat, pasi Korporata e Investimeve është pjesë e projektit. Edhe toka e ishullit do të jetë e shtetit shqiptar”, tha Rama.

Çfarë po ndodh aktualisht në Zvërnec?

Gjatë ditëve të fundit e gjithë vëmendja ka qenë te hapësira mes lagunës së Nartës dhe zonës bregdetare të Zvërnecit. Zona është rrethuar me tela, ku pas tyre shtrihet një kantier ndërtimi, me kamionë të rëndë të ngarkuar me inerte dhe mjete të tjera të cilat po operojnë në terren. 

Bëhet fjalë për një zonë, ku raportohet ndërtimi i një projekti të madh turistik nga investitorë të huaj. 

Në këto kushte dhjetëra qytetarë dhe aktivistë të shoqërive civile, PPNEA, AOS dhe grupit 'Shpëto Vlorën', më 16 maj protestuan para gardhit rrethues, duke denoncuar dëmtimin e zonës së mbrjotur. 

Sipas aktivistëve dhe banorëve, hyrja në zonë është kufizuar dhe territori është rrethuar me tela me gjemba, ndërsa mungon transparenca mbi subjektet që po kryejnë punimet dhe natyrën e projekteve në zhvillim. Ata theksojnë gjithashtu mungesën e tabelave informuese dhe komunikimit institucional me komunitetin. Protestuesit paralajmërojnë se projekti i paralajmëruar si një zhvillim turistik mund të shndërrohet në një transformim masiv urban që rrezikon zhdukjen e habitatit natyror. 

Kush po ndërton?

Punimet po zhvillohen nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila ka përfituar dy leje zhvillimi për ndërtimin e një resorti turistik masiv gjatë vitit 2025, por këto leje nuk janë bërë ende publike. Projekti lidhet me një investim të prezantuar më herët në media ndërkombëtare dhe parashikon ndërtimin e mijëra njësive akomoduese në një zonë që ndan lagunën e Nartës nga deti Adriatik. /ZËRI

Poll

MOS HUMB