
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot një video me kukulla të animuar, ku personazhe janë ai vetë, Sali Berisha, Adriatik Lapaj dhe Lulzim Basha. Në këtë krjim me titull “Bufi dhe Tiku drejt Bashkimit”, shfaqen personazhet e politikës, të cilët, sipas kreut të qeverisë janë bashkë kundër tij. Në përshkrimin e tij për videon, Rama thotë se ia kanë dërguar 2 të rinj që e kanë krijuar vetë, por që ai ka zgjedhur që ta ndajë dhe me publikun.
“MIRËMËNGJES dhe duke i falenderuar dy të rinjtë që ma dërguan këtë krijim të bukur, për Bufin dhe shokët e tij, si edhe duke ua plotësuar dëshirën që ta ndaj me të gjithë ju, pikërisht në ditën tradicionale të Teatrit të Kukullave, ju uroj të diel të buzëqeshur,”- shkruan Rama.
BISEDA QË ZHVILLOHET NË VIDEO:
Sali Berisha: Mirë jemi këtu për t'i bindur të gjithë se unë jam ai që do ta çojë Shqipërinë në Bashkimin europian.
Lapaj: Në rrëgull, por pse dukesh si gogol? Je maskuar?
Sali Berisha: Përkundrazi, e hoqa maskën.
Lapaj: Habi e madhe. Po ç'do bëjmë tani?
Sali Berisha: Dalim në skenë. Vetëm të shpresojmë që...oh jo! Paska hy përpara ky mafiozi.
Edi Rama: Vlerat e Shqipërisë janë vlerat e Bashkimit Europian dhe jam krenar që puna që kemi bërë së bashku po e sjell vendin tonë të dashur në këtë familje
Lapaj: Duhet ta ndalim! Jepi! Shpërthe me ç'të vjen në gojë. Nuk është zog kënetë është Sali Berisha.
Basha: Hahaha! Jam gjallë. Menduat se më kishte ndodhur diçka por jam gjallë. Dhe tani është radha ime për të
Sali Berisha: Në fakt, unë e zura mat po BE-ja është e shitur.
Lapaj: Ti do më marrësh në qafë si more Lulin...
Përgjigje ka marrë nga vetë kreu i koalicionit "Nisma Shqipëria Bëhet!". Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Adriatik Lapaj e fton edhe njëherë Ramën në debat televiziv me të për të prezantuar secili platformat qeverisëse. Por nuk harron që të theksojë se videoja e publikuar sot në ditën e Fitër Bajramit, ka si qëllim bullizimin e figurës së tij në politikë.
Përgjigjia e Lapajt: Përshëndetje miq! Gëzuar Fitër Bajramin, kjo ditë e gëzueshme për të gjithë besimtarët myslimanë. Kjo duhet të ishte një ditë festë dhe gëzimi, do të duhet të ishte dhe një ditë pushimi për të ligën dhe për të keqen, por jo. Në Shqipërinë tonë kryeministri i vendit që pa gdhirë publikoi një video ku më bullizon dhe më njëson mua me bashkëudhëtarin e tij politik me të cilin ndryshuan dhe morën peng Kushtetutën në vitin 2008 dhe me të cilin njësuan mbylljen e listave. Çfarë e shqetëson një kryeministër që ka 28 vite në politikë pa u ndalur? Që ka 183 mijë të punësuar në administratë që i dhunon dhe i mban peng. Që ka mbi 20 mijë mjete të fushatës që i përdor për fushatë që e detyron të dhunojë dhe bullizojë publikisht një të ri që ka ëndrrat e veta dhe që në moshë është në moshën e djalit të tij? Mos vallë ka të bëjë fakti që ky i ri nuk i vjen në pazar dhe thotë që do ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme? I premtoj publikisht që do ta çoj vendin në zgjedhje të parakohshme nëse shqiptarët na votojnë masivisht dhe të them dil në debat. Eja në debat ku dhe si të duash.
Ndërkohë edhe pse pa e përmendur me emër, Rama e komentoi edhe në takimin me emigrantët shqiptarë në Athinë.
"Ndërkohë që ajo që ata nuk kuptojnë dhe ajo që nuk kuptojnë të gjithë të tjerët bashkë me këta shitësit e vegjël të qilimave, - se kam parë që vijnë këtu e thonë merre qilimin tim të fluturosh, -që janë të gjithë vegla dhe që të re kanë vetëm fytyrën dhe moshën se nuk kanë asgjë të re tjetër, se i patë që dhe kur bënë listën e deputetëve, futën baballarë dhe xhaxhallarë dhe krushq e teze. Të gjithë këta nuk kuptojnë një gjë, që ne nuk jemi në një punë, ne jemi në një mision."
Për të njëjtën video, sot në mëngjes, Lapaj ka pasur edhe një përplasje me kandidatin e Partisë Socialiste për deputet në Sarandë (i njëjti qytet nga vjen edhe Lapaj), Ardit Bido. Ky i fundit, edhe pse ka pasur marrëdhënie të ngushta me Lapajn ka shpërndarë videon e Ramës, duke sjellë edhe reagimin e ashpër të mikut të tij./ZËRI