
ATHINË- Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me emigrantët shqiptarë në kryeqytetin grek, Athinë. Në fjalën e tij, Rama ceku disa çështje, duke mos harruar edhe rivalin e tij në këto zgjedhje parlamentare, kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Për këtë të fundit, Rama i përmendi sërish epitetet ndaj tij, duke e quajtur edhe njëherë "bufi i kënetës", por nuk e kurseu ironinë.
Sa i përket çështjes së marrëveshjes për njohjen e pensioneve me Greqinë, Taulant Balla premtoi se qeveria "Rama" do të arrijë një marrëveshje me Greqinë për pensionet brenda mandatit të ardhshëm.
“Plot 65 mijë bashkatdhetarë janë regjistruar për të mbështetur Shqipërinë europiane, për t’i dhënë mundësinë PS dhe Edi Ramës që më 11 maj jo vetëm të marrin mandatin për të qeverisur, por një shumicë për të çuar para reforma të rëndësishme. Nëse doni një qeveri në Shqipëri që të vijojë të bëjë punë për Shqipërinë, ajo është vetëm qeveria e Edi Ramës. Marrëveshja për njohjen e pensioneve, siç mbyllëm 16 marrëveshje në 12 vite, do ta mbyllim brenda këtij mandati të ri edhe me Greqinë,"- tha Balla. Ndërsa nga ana e tij, kryeministri Edi Rama kërkoi votën.
“Deri dje kishim vetëm një zgjidhje, sot kemi 2. E para është me një marrëveshje mes qeverive. Me qeverinë greke kemi marrëdhënie të mira sot dhe të bëjmë atë që bëmë me italianët që na morën frymën gjithë këto vite sepse janë dy marrëveshjet më të vështira sepse bëhet fjalë për shumë njerëz. Rruga e dytë është të votoni nr. 5 që të mos duhet një marrëveshje me qeverinë greke, sepse nëse bëhemi pjesë e BE pasaporta shqiptare europiane do të jetë e barabartë me atë greke, dhe kjo e fundit nuk do t’ju duhet, ju hyn në punë vetëm nëse do të bëheni deputetë,”- tha ai.
Po ashtu, kryeministri Edi Rama tha se dikush që do të kthehet në Shqipëri, do të jetë më mirë se duke qëndruar në emigracion.
“Kush do të ketë kurajon të kthehet sot në Shqipëri, do të ketë më shumë nesër se duke qëndruar këtu. Paga mesatare sot është 830 euro dhe në mandatin e katërt do ta çojmë në 1 mijë euro,”- tha Rama. Ndër të tjera, i pari i qeverisë, Rama i ftoi emigrantët të votojnë për Partinë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2025, për të mundësuar që fëmijët e tyre të kenë pasaportën evropiane.
Duke folur përpara shqiptarëve në Athinë, kryeministri Edi Rama paralajmëroi se kreu i PD, Sali Berisha, nuk do t’i njohë zgjedhjet e 11 majit, ku parashikoi fitoren e forcës politike që ai drejton./ZËRI