
SHKODËR- Beteja për koncertin e Bujar Qamilit ka përfunduar! Tashmë është vendosur që koncerti të zhvendoset nga stadiumi "Loro Boriçi", në sheshin para Bashkisë së Shkodrës. Vendimin e ka bërë me dije vetë kryebashkiaku Benet Beci, disa ditë pas nisjes së përplasjes me drejtuesit e klubit "Vllaznia".
"Si drejtues i Bashkisë Shkodër, nuk kam asnjë dëshirë që, edhe në mënyrë të paqëllimshme, organizimet e institucionit që ju më keni dhënë privilegjin të drejtoj, të shfrytëzohen për të krijuar ndasi apo përballje artificiale. Me tagrin që më jep detyra, por mbi të gjitha me dëshirën e fortë që festa e dikujt të mos krijojë shqetësime te askush tjetër, dua t’ju njoftoj se ne do ta zhvendosim koncertin, në oborrin e përbashkët të të gjithë qytetarëve shkodranë, para Bashkisë Shkodër,"-njofton Beci.
POSTIMI I PLOTË:
Të nderuar bashkëqytetarë! Këto ditë jemi të gjithë dëshmitarë të një debati artificial, e qartazi të nxitur nga interesa personale, lidhur me përdorimin e stadiumit "Loro Boriçi" në realizimin e koncertin e Mjeshtrit të Madh Bujar Qamili. Me stafin e bashkisë kemi bashkëpunuar me shumë dëshirë për të krijuar mundësinë e një koncerti të vecantë, për një nga artistët më të rëndësishëm të këngës popullore shkodrane, dhuratë për gjithë artdashësit. Sigurisht duke pasur parasysh funksionin kryesor sportiv të stadiumit, organizimi i koncertit është menduar në mënyrë të tillë që të mos cënojë në asnjë mënyrë fushën, si dhe stadiumi të jetë në gjendje optimale për ndeshjet ndêrkombëtare të Vllaznisë. Njëkohësisht, kuptoj se një valë informacionesh të pavërteta rreth dëmit që mund t’i sjellë stadiumit organizimi i koncertit, ka shqetësuar jo pak tifozë të Vllaznisë. Njerëzit shpesh e kanë të thjeshtë të përfshihen nga tymnaja që kërkon ta cojë vëmendjen në frikëra të panevojshme,kur s’ka mundësinë të përballet me ato reale. Koha është gjithmonë e duhura për të treguar cfarë është realisht problem e cilët janë qëllimet që nxisin palët në këto qëndrime kundërshtuese. Por, si drejtues i Bashkisë Shkodër, nuk kam asnjë dëshirë që, edhe në mënyrë të paqëllimshme, organizimet e institucionit që ju më keni dhënë privilegjin të drejtoj, të shfrytëzohen për të krijuar ndasi apo përballje artificiale. Me tagrin që më jep detyra, por mbi të gjitha me dëshirën e fortë që festa e dikujt të mos krijojë shqetësime te askush tjetër, dua t’ju njoftoj se ne do ta zhvendosim koncertin, në oborrin e përbashkët të të gjithë qytetarëve shkodranë, para Bashkisë Shkodër. Duke i uruar suksese Vllaznisë në aventurën europiane, ju ftoj të gjithëve të jemi pjesë e koncertit madhështor të këngëtarit Bujar Qamili, në mbrëmjen e 21 qershorit. Le të shërbejë ky koncert edhe si ogur i mirë për ngjyrat kuqeblu të Vllaznisë simbol i qytetit tonë. Jam i sigurt që do të jetë një mbrëmje e paharrueshme! Le të shërbejë ky koncert edhe si ogur i mirë për ngjyrat kuqeblu të Vllaznisë simbol i qytetit tonë. Jam i sigurt që do të jetë një mbrëmje e paharrueshme!
Vendimi u mor pas kërkesës së "KF Vllaznia". Drejtuesit e klubit pretendonin se zhvillimi i koncerteve në stadium shtonte mundësinë që të anulonte aktivitetet sportive të ardhshme. Por jo vetëm kaq. Sipas tyre, mund të sillte pasoja më të rënda për klubin, siç ishte moslicensimi nga UEFA për të zhvilluar ndeshjet evropiane të klubit të futbollit. Kështu, pas disa ditëve replika mes drejtësve dhe Becit, ky i fundit ka vendosur që të bëjë hapa pas dhe të zhvendosë koncertin recital të Bujar Qamilit, në sheshin para Bashkisë së Shkodrës./ZËRI