
TIRANË- Marash Logu, përfaqësuesi i Partisë Demokratike në mbledhjen e zhvilluar në Kolegjin Zgjedhor pas ankimimeve të depozituara nga koalicioni Partia Demokratike Aleanca për Shqipërinë Madhështore, ka ngritur si shqetësim praninë e Ilirjan Rusmajlit. Sipas Logut, prania e Rusmajlit ka cënuar paanshmërinë e procesit të ankimimit.
“Prania e Rusmajlit në KAS cenoi parimin e paanshmërisë, ne kemi kërkuar përjashtimin e këtij anëtari, pasi për shkak të pozicionit që mban si Këshilltar i Presidentit, vendimet e mëparshme që ka marrë, apo fjalëve drejtuar përfaqësuesit të ankimuesve, mendojmë ishte në shkelje të paanshmërisë. Vetë ky anëtar ka shkruar vendimmarrjen për përjashtimin e tij. Ai as nuk duhet të ishte i pranishëm, as të merrte vendim, as të shkruante vendimin për kërkesën tonë për përjashtimin e tij,”- tha Logu.
Të njëjtin ankimim, Logu ka paraqitur edhe në mbledhjen ku u diskutua për rinumërimin e votave të kandidatëve të Opozitës. Sot në mbledhjen e zhvilluar në Kolegjin Zgjedhor u rrëzuan ankimimet e PD-ASHM për qarkun e Kukësit, Lezhës dhe Gjirokastrës. Ndërkohë që pritet vendimi për Korçën./ZËRI