Politikë

Rinumërimi i votave për Tiranën! Lëvizja Bashkë pa vëzhgues, përjashtohet nga procesi

Në reagim partia shkruan se vendimi i KQZ-së përbën shkelje të Kodit Zgjedhor dhe cenon parimin e barazisë mes subjekteve në garë duke ndikuar në besueshmërinë e procesit elektoral.

F.I
Rinumërimi i votave për Tiranën! Lëvizja Bashkë pa
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Në pallatin e sportit “Farie Hoti” nisi sot procesi i rinumërimit për të gjithë qarkun e Tiranës. Teksa hapen 1282 kuti ku do të shqyrtohen votat për partitë si edhe për kandidatët, këta të fundit kanë shkuar të ndjekin nga afër procesin. 

Por nga Lëvizja “BASHKË" nuk do të marrë pjesë asnjë vëzhgues në rinumësimin e votave. Në reagim partia shkruan se vendimi i KQZ-së përbën shkelje të Kodit Zgjedhor dhe cenon parimin e barazisë mes subjekteve në garë duke ndikuar në besueshmërinë e procesit elektoral.

NJOFTIMI:

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka refuzuar kërkesën e Lëvizjes BASHKË për të marrë pjesë me vëzhgues në rinumërimin e votave. Arsyetimi është qesharak dhe në shkelje të parimeve elementare të barazisë ligjore: ne nuk jemi palë ankimuese që kemi kërkuar rinumërimin e votave. E megjithatë, ato që do të rinumërohen janë edhe votat tona. Lëvizja BASHKË, me qindra aktivistë, e ka mbrojtur me devotshmëri dhe forcë çdo votë të sajën dhe nuk pret të humbasë asnjë të tillë. Mirëpo ne nuk kemi besim tek integriteti i palëve të përfshira në rinumërim. Mosbesim që përforcohet edhe më tej nga përjashtimi arbitrar i saj nga procesi i rinumërimit. Po ashtu, ne kemi të drejtën dhe detyrën qytetare për të qenë dëshmitarë të çdo manipulimi ose tentative për manipulim nga kushdo ndaj kujtdo, midis partive dhe brenda kandidatëve të së njëjtës parti. Ne po ndjekim me vëmendje të gjitha hapat ankimues dhe vetë procesin e rinumërimit dhe paralajmërojmë këdo që guxon të shtrembërojë besimin e dhënë nga qytetarët për Lëvizjen BASHKË se do të përballen me kundërvënie të fortë me të gjitha mjetet legale dhe demokratike. Votat tona janë vota djerse, kauzash dhe shprese dhe jo vota të trafikut të influencave, parave të pista dhe kompromiseve nën tavolina.Ne po ju ndjekim. Ne po ju shohim. Mos guxoni!

Lëvizja “BASHKË' siguroi vetëm një madat në zgjedhjet e 11 majit dhe në parlament do të përfaqësihet nga Redi Muçi.

Poll

MOS HUMB