TIRANË-Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zbuluar se protesta e radhës e PD, e planifikuar për datën 12 mars do të zhvillohet në orën 10:00. Berisha bëri thirrje për të gjithë shqiptarët që të mblidhen para Parlamentit. Në foltoren e radhës me demokratët në sheshin para kryeministrisë si çdo të hënë, Berisha u shpreh se qeveria duhet të largohet sa më parë, ndërsa akuzoi kryeministrin për mbrojtje të Belinda Ballukut.
Berisha theksoi se 12 marsi do të jetë një moment i rëndësishëm, duke e cilësuar si “dita e pranverës së demokracisë”, ku opozita do i jap “përgjigjen e merituar Edvin Kristaq Ramës dhe bandës së tij”.
Sali Berisha: 12 marsi është një ditë e madhe. Më 12 mars të gjithë shqiptarët para Parlamentit. Më 12 mars është dita e pranverës së demokracisë, dita e përmbysjes së madhe të narkoregjimit. Ndaj, në orën 10 e gjithë Shqipëria te Parlamenti. Ne t’i japim përgjigjen e merituar Edvin Kristaq Ramës dhe bandës së tij.
Në seancën plenare të 12 marsit pritet që dy raportet e PS dhe PD, ku argumentojnë arsyet se përse refuzojnë kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut apo pranojnë kërkesën, të votohen në Kuvend, ditë kur edhe PD ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste./ZËRI
