TIRANË-Kryedemokrati Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të dalin masivisht në protestë në 12 mars. Berisha është shprehur se kryengritja e radhës duhet të shërbejë për të rrëzuar kryemnistrin Edi Ramën nga qeveria.
Sali Berisha: U bëj thirrje ndërgjegjes së qytetarëve, kjo është betejë për ndërgjegjen e njeriut. Nuk ka ndodhur kurrë. Asnjë pushtues nuk i ka lejuar vetes të bëjë një ligj të tillë, të shkelë çdo normë. Dhe tani nxori mburojën e Beogradit përpara. Tani thotë se nuk na duhet Brukseli, por na duhet Beogradi. Tani rikthehet në skenarë haptas antishqiptarë. Nuk ka komb në botë që do duronte një njeri si ky, kurrë! Akti i fundit me Sllobodanin e ri, Aleksandër Vuçiçin, është një thirrje për atdhetarinë e çdo shqiptari kudo që ndodhet. Ky ka shndërruar Shqipërinë në një vend tepër të rrezikshëm për të ardhmen e kombit duke përdorur pushtetin e tij. Ndaj dhe duhet t’i përgjigjemi në mënyrën më të fuqishme dhe unë kam besim se do i përgjigjemi. Data 12 është kryengritja e radhës. Ftoj qytetarët shqiptarë në të katër anët e Shqipërisë të bashkohemi kundër kreut të kësaj organizate kriminale për t’i dhënë përgjigjen e merituar për vjedhjet e tij dhe për tradhtinë e lartë kombëtare që i bën idealeve evropiane të popullit shqiptar. Ëndrrës evropiane të shqiptarëve për të zënë vendin e tyre të merituar në BE.
Kujtojmë se në Vilën 31, ish-rezidencën e diktatorit Enver Hoxha, u regjistruan tensione gjatë mbrëmjes së 28 shkurtit, kur protestues hodhën molotovë dhe fishekzjarrë, teksa brenda ambineteve ndodheshin shtetas të huaj, pasi godina është kthyer në një ambient pritës për artistët. Lidhur me tubimin katër protestues, Leonardo Marku, Robespier Dervishaj, Doris Rista dhe Sergei Rapo, u arrestuan ndërsa një hetim ka nisur në gjendje të lirë për një 16-vjeçar i cili u kap me armë sportive.
Po ashtu, Policia dorëzoi materialet në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) edhe për deputetin e PD Klevis Balliu, i cili dyshohet se ka shkelur ligjin “Për Përgjegjësinë Penale të Personave Juridikë” si dhe për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”./ZËRI