
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Kuvend, ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në fjalën e tij nga Foltorja e Kuvendit, Berisha paralajmëroi zhvillime të tjera të rëndësishme duke iu drejtuar socialistëve me fjalët: Prisni do të ketë të tjera. Kryedemokrati përmendi emra socialistësh, por nuk dha detaje të tjera lidhur me atë që parashikonte se do të ndodhte.
"Në qoftë se ju merrni të vërtetat për fyerje, ky është problemi juaj, po unë i kam deklaruar dhe i deklaroj në mënyrë të përsëritur se Ulsi Manja është në regjistrim, se i kanë dërguar çunat e Londrës 500 mijë euro. Se përveç 500 mijë eurove, Ulsiu kërkon çantën Louis Vuitton. E dyta, zonjë, nuk kam fyer unë. E keni gabim. Ju doni t’u fyej, po unë nuk u fyej kurrë. Unë nuk zbres aty ku zbret Edi Rama, nuk e bëj kurrë atë që bën Edi Rama ndaj jush. Në qoftë se unë përmend garderobën, ajo do hyjë në histori. Po u tregoj një gjë, kemi qenë në vitin 1991, dhe ka besoj nga ajo kohë ndonjë deputet këtu, kur një drejtues i Partisë së Punës në atë kohë u ngrit dhe tha: unë kam qenë i mashtruar, nuk ma priste mendja kurrë që Enver Hoxha të kishte 3 dynym qilima të shtruar. Dhe ai tha një të vërtetë se njerëzit nuk dinin. Po unë besoj se nuk ka shqiptar që mund të besonte, po të mos shihte faturat një më një se Velica- nuk është fyerje- që e shoqja e Erion Veliajt të ketë blerë bizhu dhe fustane sa e shoqja e Asadit. Po ju dilni këtu e më thoni, yt shoq sa tendera ka fituar nga Erion Veliaj? Ka fituar apo jo? Na thoni? Se nuk është e rastit që e ndizni seancën në këtë mënyrë për një hajdut të shpifur. Sikur asgjë të mos shihnit, mungesën e 130 milionë euro djegësit të Tiranës. Po ju nuk mund ta ngrini kurrë kokën në këtë mënyrë. Unë kërkoj me urgjencë ardhjen e Edi Ramës këtu dhe dorëheqjen e tij të menjëhershme. Prisni se do ketë prapë të tjera gjëra,"-tha Berisha.
Replikën nga vendi ia bëri ministri i Drejtësisë Ulsi Manj.
“Për zotin Sali, të kam zili se si të ka ardhur pleqnia, por jo jeta. Ngrihesh në mëngjes, bën stërvitjen e mëngjesit se je doktor dhe mban trupin në formë. Në 9 mbaron mëngjesin dhe pastaj nga ora 10 deri në 2 ke orarin e humorit me grupin parlamentar dhe miletin. Me ata që të besojnë. Si bloger fillon e u flet për fustane, parfume, çanta, prerje eurosh, me thashetheme. Pastaj del jo te qytetari dixhital, po me filxhan dixhital dhe pastaj shtyn orët deri në drekë. Ha drekë, i fut një gjumë mbasdite nja 1 orë e gjysmë dhe pastaj del deri në 8 me qytetarin dixhital. 80 vjeç me këtë axhendë është për të ta pasur zili, se mosha jote dalin e merren me nipër e mbesa. Ndrysho oraret pak se një pjesë e këtyre nuk ngrihen në të njëjtën orë që çohesh ti,”- i tha Manja- Berishës./ZËRI