
TIRANË- Partitë e reja janë mbledhur sot para ambientëver të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në një tubim për të treguar mbështetje të detyrës së tyre. Kreu i Nismës Thurje Endri Shabani dhe kreu i partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj u shprehën se SPAK ka nevojë për mbështetjen e qytetarëve shqiptarë që të kryejnë detyrën e tij. Shabani gjatë fjalimit të tij tha se kryeministri Edi Rama sulmoi SPAK dhe po intimidon dëshmitarët.
“Jemi këtu për të mbështetur SPAK-un. Edi Rama doli haptazi duke sulmuar SPAK. Rama po prish provat, po intimidon dëshmitarët, ka shkuar në zyrën e Bashkisë dhe ka uzurpuar pushtetin vendor, ka dalë nga shinat. SPAK ka mbështetjen e popullit shqiptar. Kushdo që vjedh popullin shqiptar e ka vendin te burgu 313, te burgu i Durrësit, te burgu i Elbasanit. Askush mos të synojë politikën për të vjedhur popullin shqiptar”, tha Shabani.
Po ashtu, edhe Lapaj tha se ka nevojë që të ndërtohet një shtet ku njerëzit të përballen me ligjin. Ai tha se instuticionin drejtësisë nuk mund ta sulmosh dhe arsyeja e këtij tubimi është për t’i dhënë kurajo çdo personi të ligjit.
“Këtu ka një aleancë të ndyrë kundër ligjit. Prandaj, ne i japim kurajo çdo njeriu të ligjit që shoqëria nuk i lë vetëm. Duhet të ndërtojmë një shtet, ku njerëzit të përballen me ligjet.
As nuk linçohen njerëzit, por as nuk linçohet drejtësia. Në çdo rast duhet që njerëzit të përballen me institucionin. Duhet të ndërtojmë institucione. Nuk mundet që institucionin ta sulmosh kaq egër”, tha Lapaj./ZËRI