
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha nuk është paraqitur sot në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Të hënën e parë të çdo muaji, Berisha duhet që të shkojë në SPAK për të respektuar masën e sigurisë "detyrim paraqitje". Raportohet se Berisha nuk është paraqitur në SPAK për arsye shëndetësore, për shkak të një gjendjeje virale që po kalon.
Edhe pse u montua podiumi dhe u vendos mikrofoni, për të mbajtur fjalimin e zakonshëm pas daljes nga godina, Berisha nuk u duk askund.
Në SPAK u paraqit vetëm avokati i Berishës, i cili shpjegoi arsyen e mosparaqitjes së kryedemokratit.
Aktualisht Berisha është në liri, por me masën "detyrim paraqitje", 2 herë në javë në lidhje me çështjen Partizani. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi janë zyrtarisht të pandehur bashkë me të akuzuarit e tjerë në lidhje me dosjen si: biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe financierja e kompanisë 'Homeplan', Andia Pustina.
Të pandehurit e dosjes “Partizani” dhe akuzat:
-Sali Berisha, ish kryeministër – akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
-Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish-kryeministrit – akuzohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim dhe për “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
-Fatmir Bektashi – Ndërtuesi akuzohet “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” dhe “Pastrim parash”
-Xhimi Begeja – Trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i “Homeplan” akuzohet për “Pastrim Parash”
-Andia Pustina – Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të “Homeplan sh.p.k” – akuzohet për “Pastrim Parash”
Ndryshe nga Sali Berisha, dhëndri i tij ndodhet nën masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’./ZËRI