
TIRANË- Me Erion Veliaj në burg, kryeqyteti po mban erë zgjedhje të pjesshme lokale! Tashmë që i zgjedhuri në vitin 2023, po bën 5 muaj në qelinë e paraburgimit të Durrësit, shkarkimi i tij nga detyra duket se është thjesht një procedurë që pritet të ndodhë shumë shpejt. E ndoshta më shpejt nga sa mendohet. Ndaj është e udhës që të mendohet se cili do të jetë pasardhësi i tij në krye të detyrës. Lart e poshtë nëpër Tiranë po përfliten emra se cili nga socialistët do të garojë për postin e lënë bosh nga "lali Eri", ndërkohë që edhe opozita duket se nuk e ka hequr nga vëmendja bashkinë më të rëndësishme në vend.
Ndaj ZËRI do të përmbledhë në një artikull të gjithë ata që përfliten se mund të jenë pretendentë për të pasuar Veliajn në krye të Bashkisë së Tiranës.
Një emër që përmendet shpesh, edhe si pretendent për deputet ndër vite, është ai i Arbër Hajdarit. Në dukje nuk ka angazhim me Partinë Socialiste, por nuk mund të thuhet se është një figurë e djathtë, opozitare, apo kritike me qeverinë. Hajdari ka krijuar një profil publik të kuruar me fondacionin e tij të bamirësisë, me të cilin shpesh herë bashkëpunonte edhe me Veliajn. Po ashtu, vitet e fundit popullariteti i tij ka kapur majat me rolin e opionistit në formatin "Big Brother VIP Albania". Emri i tij përflitet, nuk është hera e parë, por kësaj herë mund të ndodhë vërtetë.
Tjetër që përflitet është ish-ministrja e Shëndetësisë, aktualisht ministre e Arsimit dhe Sporteve, Ogerta Manastirliu. Si drejtuese politike e qarkut të Tiranës ajo duket se punoi për të bindur drejtuesin e Partisë Socialiste se mund t'ja dilte që të bënte një punë të mirë edhe pa kryebashkiakun Veliaj. Në zonat e saj doli fituese, edhe pse mandatin e saj e kishte të sigurtë pasi ishte caktuar në listën e mbyllur të kryeqytetit. Si një nga ministret më të vjetra në kabinet, ajo mund të ketë fituar besimin e të parit të socialistëve, Edi Rama për një sfidë të re, me veten dhe për veten. Kështu, ajo do të bëhej ministrja e dytë që do të shkëputej nga kabineti dhe Kuvendit për të drejtuar një institucion lokal. I pari ishte Erion Veliaj, i cili gjatë mandatit të parë shërbeu si ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Një socialiste tjetër që përflitet është edhe Elisa Spiropali. Por ndryshe nga kolegia e saj, Spiropali ka disa disavantazhe. Nën drejtimin politik të saj 2 vite më parë ajo fitoi Bashkinë e Shkodrës, por në këto zgjedhje, humbi në Kavajë dhe në Kamëz, atje ku socialistët vetëm së fundmi kanë mundur që të marrin drejtimin e pushtetit lokal. Megjithatë, ajo duket se ka një bast të madh për të vendosur, të lërë pozitën e kryeparlamentares, për të garuar për të parën e qytetit.

I fundit që përflitet nga socialistët është një person që nuk e ka për herë të parë drejtimin e punëve të kryeqytetit. Bëhet fjalë për ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja. Në vitin 2000, Blendi Gonxhja u emërua dhe shërbeu si nënkryetar i Bashkisë së Tiranës në kohën kur institucioni drejtohej nga tashmë kryeministri Edi Rama. Ai mund të ketë avantazh ndaj figurave të tjera, pikërisht sepse njihet më mirë nga të gjithë me punët e Tiranës, por edhe me vizionin që ka kreu i qeverisë për qendrën e vendit, megjithatë ende s'ka asgjë të sigurtë. Por dyshime ka! Për shkak, edhe të mbështetjes së madhe që Gonxhja mori në zgjedhjet parlamentare, ku grumbolloi më shumë se 20 mijë vota, emri i tij është lakuar edhe më shumë. Madje ndryshe nga të tjerët edhe është pyetur nëse do të pranonte postin, nëse do i ofrohej. Por Gonxhja në përgjigjen e tij, zgjodhi të ishte "politikisht korrekt".

Blendi Gonxhja: Më vjen keq për vetë Erion Veliajn, për familjen e tij, ka qenë ndër njerëzit më të rëndësishëm të Partisë Socialiste. Hidhërimi që ndjej unë nga momenti që më përmendet emri dhe nocioni, Bashkia dhe kryetari, Veliaj, është aq i madh, sa nuk më lejon dot, këtë e kam të papërgatitur. Ne nuk kemi gjë në dorë në këtë pjesë, unë uroj që ai të dalë fitimtar dhe i pastër. Nuk kam plan personal karriere, gjithmonë jam thirrur që të pyetem a jam në dispozicion për një kauzë të caktuar, nuk kam programuar asgjë për një ambicie personale, pas kësaj që ka ndodhur në Bashkinë e Tiranës. Votëbesimi në Tiranë është një shpagim, për atë thikë, që ndërpreu karrierën time më 2002 dhe që kjo është një gjë që ka të bëjë me gjithçka në jetën time, lidhet dhe me familjen time. Nuk ka diçka tjetër që lidhet me votën në Tiranë dhe me këtë pjesën tjetër. Bashkia Tiranë është një institucion tepër i rëndësishëm, nëse ne bëjmë punën tonë si deputet në Tiranë dhe nëse bëjmë që qeverisja vendore bën që njerëzve t’ju lehtësohet jeta, nuk do ishte gjë e vogël që do bënim. Nëse ne si deputetë do bëjmë gjithçka për zonën tonë, mendoj se kam bërë shumë për votëbesimin që më është dhënë. Mua më kanë votuar shumë zemra në Tiranë për deputet dhe ndaj kësaj vote duhet të jem shumë i kujdesshëm.
Por edhe nga demokratët nuk ka qetësi. Një nga emrat e përfolur është juristja Adriana Kalaja, e cila ka tentuar që të garojë edhe njëherë për vendin e qytetares së parë të Tiranës. Por e humbi garën që në betejën e parë brenda partisë, ku demokratët zgjodhën si përfundim që t'i përfaqësonte Belind Këlliçi. Ky i fundit, tashmë ka rimarrë mandatin si deputet ndaj duket se nuk ka gjasa që të lërë sërish mandatin për të garuar edhe njëherë në zgjedhjet lokale. Sidomos pas humbjes së thellë që pësoi ndaj Erion Veliajt në përballjen e fundit që pati me të.

Por e dini kush nuk ka një mandat si deputet? Mjeku Ilir Alimehmeti! Ai është gjithashtu një nga emrat më të votuar të zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën më shumë se një muaj më parë. Pëlqyeshmëria e tij në publik është e pashoqe në krahasim me garuesit e tjerë nga Partia Demokratike dhe ende ka figurën e një politikani të ri, të pakonsumuar dhe të pabaltosur me akuza. Alimehmeti ishte një garues i fortë edhe për Këlliçin me të cilin doli në balotazh në zgjedhjet brenda partisë në 2023 dhe ishte vetë ai që la më të riun që të vazhdonte para me ambicjen e tij duke e mbështetur edhe vetë në terren.

Nga demokratët ai favorizohet edhe me tezën e re që ka nxjerrë Agron Shehaj, i cili kërkon bashkimin e forcave opozitare për të marrë nga maxhoranca Bashkinë e Tiranës. Për këtë kërkon një emër jopolitik. I pyetur nëse do të ishte një mundësi e mirë Alimehmeti, Shehaj nuk tha "jo". Edhe vetë kryedemokrati Sali Berisha nuk ka arsye që të mos e zgjedhë mjekun, kështu që emri i tij duket si më i sigurti nga opozita.
Por!
Me Statut, Partia Demokratike duhet që të zhvillojë procesin e Primareve për të zgjedhur më të votuarin, ndaj nëse opozitarët e Kuvendit do të bien dakord të bashkohen, duhet të gjejnë një formulë të re për të zgjedhur kandidatin e tyre të përbashkët./ZËRI