Politikë

Berisha flet nga Rinasi para nisjes për në SHBA: Do u them un erdha...ky për Shqipërinë është udhëtimi i viteve

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha do të marrë pjesë në disa aktivitete të planifikuara, në një vizitë që pritet të zgjasë 7 ditë.

F.I
Berisha flet nga Rinasi para nisjes për në SHBA: Do u them un
Sali Berisha

TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha është nisur drejt SHBA-ve, ku në një prononcim për mediat nga aeroporti Rinas e cilësoi si udhëtimin e viteve për Shqipërinë. Berisha deklaroi se shkon në Amerikë me të njëjtën bindje që kishte në mars të vitit 1991. I pyetur nëse ky udhëtim lidhet me një objektiv personal apo me Partinë Demokratike, Berisha këmbënguli se nuk bëhet fjalë për një çështje personale.

Sali Berisha: Nisem për në SHBA po me atë bindje si në mars të 1991 se vendi i madh i lirisë do mbështesë Shqipërinë dhe shqiptarët në përpjekjet e tyre për tu çliruar nga diktatura autoritare e bazuar në drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve. Prania juaj këtu dëshmon se ky është udhëtimi i viteve për Shqipërinë. Në rrafshin tim unë shkoj dhe takoj miqtë e tij u them “Unë erdha".

Prononcimi i plotë i kryetarit të PD, Sali Berisha, për gazetarët në Rinas:

Sali Berisha: Kjo prani dëshmon se ju e parandieni që ky për Shqipërinë është udhëtimi i viteve. Dhe unë kam shumë kënaqësi që sot nisem për në Shtetet e Bashkuara, po me atë bindje si në mars të vitit 1991. Se vendi i madh i lirisë do mbështesë Shqipërinë dhe shqiptarët në përpjekjen e tyre për t’u çliruar nga diktatura autoritare e bazuar në drogën, krimin, dhe vjedhjen e shqiptarëve të Edi Ramës, regjimit të narkoshtetit.

Pyetje: Zoti Berisha, përveç një fitore tuajën personale, për Partinë Demokratike çfarë lloj mesazhi ka kjo…

Sali Berisha: Edhe një herë, edhe një herë, nuk ka asgjë personale. Thashë dhe një herë, prania juaj këtu dëshmon se ju e ndjeni që ky është udhëtimi i viteve për Shqipërinë. Kurse në rrafshin tim, unë shkoj dhe takoj miqtë e mi të cilëve u them: unë erdha, erdha.

Pyetje: Zoti Berisha, pyetja e parë. Keni udhëtuar shpesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si kryeministër keni takuar presidentë të ndryshëm. Po çfarë emocioni keni në këtë udhëtim? Është një emocion ndryshe apo shkoni i ftohtë?

Sali Berisha: Po, është ndryshe. Është ndryshe. Ka disa ngjashmëri. Ndonëse është vite dritë larg, por ka disa ngjashmëri me udhëtimin tim të parë në Shtetet e Bashkuara.

Pyetje: Është më i rëndësishmi ky udhëtim apo si do ta vlerësoni? Më historiku?

Sali Berisha: Është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Thashë, fakti që jeni këtu dëshmon se ju e ndjeni të drejtë se ky është udhëtimi i viteve për Shqipërinë.

Pyetje: Dhe një pyetje, biletën e biznes apo ekonomik class?

Sali Berisha: Faleminderit shumë. Faleminderit dhe mirupafshim.

Pyetje: Ju nisët fraksionin dhe ju drejtuat parlamentit duke thënë që unë erdha. A keni një mesazh për kryeministrin Rama tani që po niseni për në SHBA? Para pak minutash ka qenë në aeroport… Çfarë mesazhi keni për zotin Rama?

Sali Berisha: Për Padrinon, i them se po niset si Padrino dhe po arrin si Ramaduro.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha do të marrë pjesë në disa aktivitete të planifikuara, në një vizitë që pritet të zgjasë 7 ditë. Përveç Konventës Kombëtare Republikane, që do të zhvillohet në Dallas më 9 dhe 10 shtator, Berisha do të zhvillojë edhe dy takime me komunitetin e shqiptarëve në dy lokacione të ndryshme. Takimi i parë i kreut të PD, nis të dielën në datën 6, në New York, të martën, në datën 8, në Texas.

Poll

MOS HUMB