
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas raportimeve për mbylljen e disa llogarive në Instagram të personave që kanë mbështetur protestat kundër qeverisë, duke i hedhur poshtë akuzat për ndërhyrje apo censurë nga ana e institucioneve shqiptare. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama i cilësoi pretendimet si të pabaza dhe deklaroi se qeveria nuk ka asnjë rol në çaktivizimin e profileve dhe as kapacitetin teknik për të ndërhyrë në platformat sociale.
Kryeministri u shpreh gjithashtu se pas këtyre raportimeve mund të qëndrojnë burime që, sipas tij, synojnë të rikthejnë vëmendjen te protestat kundër qeverisë. Ai hodhi dyshime mbi motivet e personave që kanë ngritur pretendimet për censurë, duke i akuzuar se po përdorin një mënyrë të papërshtatshme për të sulmuar qeverinë.
Rama iu referua edhe zhvillimeve të mëparshme politike dhe protestave të zhvilluara në vend, duke pretenduar se situata mund të jetë pjesë e një përpjekjeje për t'i dhënë jetë të re një lëvizjeje që, sipas tij, tashmë e ka humbur fuqinë.
Postimi i kryeministrit Edi Rama:
Si mund ta quajnë veten demokratë këta agjitatorë, ndërkohë që publikojnë një insinuatë vizuale kaq të turpshme? Kam jetuar me lojërat e fajësimit dhe të turpërimit nga kundërshtarët e mi për aq kohë sa jam në politikë. Por kur kjo formë e ulët propagande vjen nga njerëz që hiqen si demokratë europianë, është vërtet për të ardhur keq. Po sikur e gjithë kjo farsë të vijë nga të njëjtat burime dashakeqe që ushqyen të ashtuquajturin “Revolucioni Flamingo”, shumë prej të cilave ushqyen gjithashtu kaosin në Ceuta? Pse? E thjeshtë: për t’i dhënë sërish jetë një “revolucioni” që tashmë është shfryrë. A nuk ka kuptim kjo? Sigurisht që po. Por, me sa duket, jo për këta demokratë vetëm në emër. Prandaj, më lejoni të jem i qartë: ne nuk kemi të bëjmë aspak me çaktivizimin apo kufizimin e ndonjë llogarie në rrjetet sociale dhe as nuk zotërojmë kapacitetin teknik për të kryer një operacion të këtij lloji. Turp për gjithë këtë tufë dështakësh që përhapin marrëzira të tilla, shkroi kryeministri Rama në rrjete sociale.
Pas një procesi të gjatë, që zgjati disa javë, profili i ZËRI-t u bë sërish aktiv, edhe falë mbështetjes së faqes “Antidroga”, e cila ishte mbyllur në të njëjtën kohë me ZËRI-n dhe kishte ndjekur gjithashtu procedurat e ofruara nga platforma për rikthimin e llogarisë./ZËRI
