TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetin e tij social Facebook, raportin më të fundit të Autoritetit të MediaveAudiovizive (AMA), i cili analizon mbulimin mediatik të forcave politike gjatë muajit qershor 2026.
Sipas të dhënave të publikuara nga AMA, partitë politike kanë përfituar gjithsej 402.47 minuta transmetim në edicionet kryesore informative. Nga kjo kohë, Partia Socialiste ka zënë 36.05% të hapësirës mediatike, ndërsa opozita në total ka marrë 63.95%.
Kreu i qeverisë theksoi se këto statistika dëshmojnë se vendi nuk mund të krahasohet me regjime autoritare apo autokratike, pasi, sipas tij, hapësira mediatike u është dhënë edhe forcave opozitare.
Raporti i AMA-s pasqyron shpërndarjen e kohës së transmetimit për subjektet politike në edicionet kryesore të lajmeve gjatë muajit qershor, duke treguar se opozita ka dominuar mbulimin mediatik krahasuar me mazhorancën.
Postimi i Ramës:
Këto dy pasqyra, të cilat vijojnë të tregojnë me fakte kokëforta të bazuara në matje jo në perceptime, se Shqipëria nuk ka asnjë lidhje me autokracitë e me kinse regjimet – ku sorrat dhe korbat politike e mediatike e fusin përditë e përnatë me krrakrratë e tyre – vendosa t’i postoj vetëm si pasqyra të mjerimit intelektual të dështakzemërakëve, të cilët i kërkojnë papushim kudo (e sidomos te unë arsyet) pse “regjimi” nuk përmbyset, përveçse aty ku arsyeja është: Te mjerimi i tyre që sheh regjim se s’di këndim të Shqipërisë
***Sipas monitorimit të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), gjatë muajit qershor 2026, partitë politike patën në dispozicion 402.47 minuta mbulim në edicionet kryesore të lajmeve.
Nga kjo hapësirë mediatike, PS mori 36.05% të kohës së transmetimit, ndërsa opozita në tërsi 63.95%./ZËRI

