Politikë

Akuzat e Berishës ndaj Majkos, SPAK: Nuk na ka ardhur asnjë kallëzim!

SPAK sqaron se pranë institucionit të tyre nuk ka shkuar asnjë kallëzim apo procedim penal në ngarkim të Majkos.

k.m.
Akuzat e Berishës ndaj Majkos, SPAK: Nuk na ka ardhur asnjë
Pandeli Majko dhe Sali Berisha

TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka reaguar për mediat pas akuzave të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha për socialistin Pandeli Majko. Ndryshe nga sa pretendon Berisha, SPAK sqaron se pranë institucionit të tyre nuk ka shkuar asnjë kallëzim apo procedim penal në ngarkim të Majkos. Por ende nuk ka një sqarim të ngjashëm nga Shërbimi Informativ i Shtetit. 

“Pas verifikimeve të kryera në Regjistrin e Kallëzimeve Penale dhe Regjistrin e Protokollit në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk rezulton asnjë material kallëzues apo procedim penal në ngarkim të shtetasit Pandeli Majko,”- bën me dije SPAK.

Disa ditë më parë, kryedemokrati Sali Berisha komentoi vendimin e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, për të larguar si drejtues politik të Kukësit, Pandeli Majkon. Berisha pretendonte se Majko ishte kapur nga një përgjues i vendosur për të zbuluar "pazaret" e trafikantëve të armëve dhe drogërave, duke blerë vota. Sipas Berishës, përgjimi ishte bërë nga SHISH.

"Pandeli Majko është kriminel i madh elektoral në Kukës. Pandeli Majko është i regjistruar në tavolinë me regjistrues, të vendosur me vendim gjykate nga Shërbimi Informativ Kombëtar, jo për Pandeli Majkon, por për trafikantë droge dhe armësh që mblidheshin aty. Aty shkon dhe bie zoti Pandeli. Dhe aty, është shumë e vërtetë, dosja është edhe tek ata, është edhe tek unë, aty shkon Pandeliu me këtë Alban Çelën dhe drejtorin e OSHEE të Kukësit dhe fillojnë. I thotë atij drejtorit, ti në Has do të kërkosh kaq shtylla centrifugale dhe do i marrësh në një kompani këtu buzë Erzenit. Ato kushtonin nja 40 deri në 60 mijë euro. Por i thotë, do faturohen 800 mijë euro, nga të cilat 300 do i dërgohen Tropojës për të blerë vota, 200 mijë do dërgohen në Durrës, të tjerat do përdoren në Kukës,"-tha Berisha gjatë një konference për shtyp.

Por deklaratat e kryedemokratit u ironizuan nga socialisti, e po ashtu dorëzoi imunitetin e tij parlamentar. Megjithatë, nuk e la me kaq! Sërish ishte socialisti Majko, ai që kërkoi informacione nga SHISH për të mësuar nëse kanë nisur ndonjë hetim ndaj tij gjatë kohës që ka qenë i dërguar si drejtues qarku në Kukës./ZËRI

Poll

MOS HUMB