
STRASBURG- Deputetë të Partisë Demokratike kanë protestuar këtë të martë para Parlamentit Evropian në Strasburg për lirimin e kryetarit të PD-së Sali Berisha dhe për Ervin Salianjin. Por 5 të tjerë kanë zhvilluar takime me kryetarin e Komisionit të Jashtëm në PE, David McAllister. Në një postim në rrjetin social Facebook, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka ndarë foto nga takimi duke zbardhur edhe një pjesë të diskutimeve që ka pasur me të.
"“Welcome back to your family” ishte mesazhi i mirëseardhjes së tij për përfaqësuesit e grupit parlamentar të PD, duke iu referuar ripranimit të PD-së me të drejta të plota në EPP. Garancitë për zgjedhje të lira, barazia e palëve në zgjedhje, shteti ligjor dhe balanca mes pushteteve, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, shkëputja e menjëhershme e lidhjeve mes qeverisjes dhe krimit të organizuar, respektimi i Kushtetutës dhe hapësirës së opozitës, janë sfidat që Shqipëria ka përpara dhe që vënë në rrezik serioz demokracinë në vend. Informimi me fakte e prova për situatën e rëndë që po kalon Shqipëria, do të ndihmojë në daljen nga rruga e errët e autoritarizmit ku e ka futur Edi Rama vendin. Ndërhyrja e krimit të organizuar në caktimin e kandidatëve për deputetë të partisë në pushtet, përdorimi i krimit të organizuar e parave të pista të korrupsionit në zgjedhje, sulmet e vazhdueshme ndaj opozitës nga ana e mazhorancës qeverisëse përmes burgosjes politike të lidershipit të opozitës, apo injorimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur zyrtarët e korruptuar të Qeverisë, nuk kanë asnjë lidhje me parimet dhe vlerat që duhet të udhëheqin një vend anëtar të NATO-s apo vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Europian,"-shkruan Bardhi në postimin e tij në rrjetet sociale.
Pasi ka dalë nga takimi, kreu i grupit, Gazment Bardhi foli edhe për mediat e pranishme, duke u shprehur se kishte marrë si "garanci" se situata në Shqipëri do të monitorohej më me imtësi nga ana e zyrtarëve të Parlamentit Europian.
“Nuk duhet harruar fakti se ky ka qenë një vit zgjedhor edhe për vetë PE, do duhet të kemi në konsideratë edhe zhvillimet globale, por u suprizuan se si një vend kandidat për anëtarësim në BE dhe një vend anëtar i NATOS po shkon drejt një shteti autokrat, drejt një shteti personal. Rama po ndjek modelet më të shëmtuara në glog: shtet personal, shtet autokrat dhe po bën çdo përpjekje për të lënë vendin pa opozitë,”- tha Bardhi.
Pas takimeve, reagime kanë ardhur edhe nga PE-ja. Deputeti i Parlamentit Evropian, Rihards Kols, dhe eurodeputeti tjetër Arkadiusz Mularczyk kanë reaguar pas takimit të zhvilluar me përfaqësues të opozitës shqiptare sot në Bruksel.
Rihards Kols: Sot pata nderin të drejtoj një takim produktiv midis @ecrgroup dhe përfaqësues nga opozita politike shqiptare. Ne u përqendruam në reformat kritike të nevojshme për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke përfshirë sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, forcimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit, dhe trajtimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kolegët tanë shqiptarë ndanë shqetësimet e tyre për gjendjen e demokracisë në vend, duke theksuar sfidat madhore që duhen kapërcyer në rrugën e integrimit në BE. Ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, duke siguruar që procesi të qëndrojë i fokusuar dhe i orientuar drejt rezultateve.
Arkadiusz Mularczyk: Sot u takova me deputetë të opozitës të Kuvendit të Shqipërisë, që përfaqësojnë Partinë Demokratike të Shqipërisë konservatore. Shqipëria, e cila kohët e fundit filloi bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, është në një rrugë të gjatë drejt anëtarësimit. Besoj se do të përfundojë me sukses. Gjatë bisedimeve tona, ne diskutuam reformat kryesore të nevojshme për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të luftuar në mënyrë efektive krimin e organizuar dhe korrupsionin. Gjithashtu folëm për situatën gjeopolitike në rajon dhe sfidat që Shqipëria duhet të kapërcejë në rrugën e integrimit në BE. Polonia është një avokate e një politike aktive të zgjerimit të BE-së për të përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor. Është thelbësore që rruga e tyre drejt anëtarësimit të mos jetë një garë pa vijë fundi në horizont.
Takimet nisën ditën e djeshme ku deputet të grupit parlamentar të grupit Parlamentar të Partisë Demokratike si Gazment Bardhi, Flamur Noka, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj dhe Albana Vokshi, u takuan me eurodeputetët Sandro Gozi dhe Oihane Agirregoitia Martínez, përfaqësues të grupit parlamentar “Reneë Europe”. Ndërsa sot, agjenda e demokratëve ishte e ndarë në dy pjesë; një grup deputetësh protestoi jashtë me pankarta në duar, ku shkruhej: Shqipëria, narkoshtet! Lironi Berishën dhe Salianjin; ndërsa grupi i dytë zhvilloi takimin me McAllister./ZËRI