TIRANË- Sali Berisha është pyetur sot gjatë komunikimit online nga një qytetar nëse do e pranojë propozimin e Partisë Socialiste për Reformën Territoriale. Kreu demokrat u përgigj duke theksuar se nuk do ta aprovojë platftormën e Edi Ramës, por do t'i qëndrojë propozimit të dalë më herët nga PD.
Sipas tij, politikat e Edi Ramës siç është dhe Reforma Territoriale larguan një numër të lartë shqiptarësh, duke sjellë shpopullim të madh nga mungesa e investimeve në zonat rurale. Ai tha se nga politikat e Edi Ramës u zbuan dy herë më shumë shqiptarët në Shqipëri se sa shqiptarët në Kosovë me politikat e Çubrilloviçit.
Sali Berisha: "Përshëndetje, Hamdi! Kur e keqja rrokullis, mendoj se është detyrë të përpiqesh ta ndalosh rrokullisjen dhe jo ta ndihmosh, ta mbështetësh atë. Në qoftë se kemi arritur tek ato shifra të pashembullta që nga viti 1300 në kohën e ‘Murtajës së Zezë’ si pakësim demografik, në qoftë se shqiptarët me politikat e Edi Ramës u zbuan dy herë më shumë në Shqipëri se sa shqiptarët në Kosovë me politikat e Çubrilloviçit, një nga mekanizmat më madhorë ishte reforma territoriale e tij.
Reforma territoriale, që zhduku qindra komuna dhe bashki, faktikisht zhduku shërbimet pikërisht atë që ka nen kryesor memorandumi i Çubrilloviçit. Zhdukja e shërbimeve bëri që ata të kenë të vështirë jetën, më të kushtueshme. Të bëjnë rrugë më shumë, të paguajnë më shumë për të fituar një vërtetim, një të drejtë të tyre dhe i nxiti ata të largohen nga vendi i tyre. Por tani le të shohim pak çështjen madhore që ju thoni lidhur me rrogat e punonjësve. Shqipëria me 410 bashki dhe komuna kishte në vitin 2013, 18-19 mijë rrogëtarë.
Pasi këto u hoqën, u zhdukën, dhe ramë tek 61 bashki, numri i këtyre punonjësve u dyfishua. Rrogat që merreshin në ato që këta i quajnë njësi administrative të pazgjedhura fare, u rritën nga 1 në 8 herë, mesatarja u dyfishuan me rreth 39 mijë punonjës.
Por çfarë ndodhi tjetër?
U përjashtuan tërësisht investimet nga Shqipëria rurale, në rrugë, në ujësjellësa, në kanalizime, gjë që diktonte largimin masiv të banorëve nga vendet e tyre.
Ndaj dhe ne nuk mund të aprovojmë këtë platformë të Edi Ramës me 46 bashki. Ne kemi shpallur platformën tonë me 101 bashki me potencial për shtimin e një numri tjetër mbi bazën e diskutimeve. Ne besojmë se reforma territoriale duhet të jetë në funksion dhe të ripopullimit të Shqipërisë.
Ripopullimi, për ata që mendojnë se ky komb duhet të ekzistojë, është kushti i të gjitha kushteve për ekzistencën e kombit tonë. Përndryshe, në qoftë se vazhdohet me këto ritme, të garantoj që në Shqipëri, shqiptarët do jenë stërpakicë, toka mbetet se është e përjetshme, por banorët e saj do jenë pakica e pakicës."
Propozimi i PS për ndarjen e re territoriale parashikon riorganizimin e hartës së pushtetit vendor dhe uljen e numrit të bashkive në 15 të tilla, nga 61 në 46. Në listën e bashkive që propozohet të shkrihen janë: Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas, të cilat do t’i bashkohen bashkive më të mëdha. Sipas propozimit, struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike në draftin e saj propozon rritjen e numrit të bashkive nga 61 qe janë aktualisht në 100 bashki. Drafti i PD parashikon ndarje me 100 bashki, 12 qarqe dhe 6 rajone. Sipas demokratëve, shtimi i numrit të bashkive do të mundësojë ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët dhe një menaxhim më efikas të territorit./ZËRI